Kurti: Serbia vazhdon të minojë paqen në Ballkanin Perëndimor
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, në kuadër të Forumit të Varshavës për Siguri, me temën “Fokusohuni në Ballkanin Perëndimor: lidhja e Gjeopolitikës dhe Integrimit Evropian”, tha se Serbia vazhdon të kërcënojë pa ndonjë pendim, dhe të minojë paqen në Ballkanin Perëndimor.
Kurti tha se Serbia nuk ka ndonjë tërheqje në kuptimin e ngacmimit të secilit vend e duke përfshirë edhe shtetet e NATO-s, Malin e Zi e Maqedoninë e Veriut por edhe Kosovën, që ende nuk është integruar në NATO, por që ka NATO-n e integruar brenda vetes.
“Në rajonin tonë nuk ekziston asnjë kërcënim më i madh se agresioni serb dhe rreziku që ndikimi rus të punojë së bashku me atë agresion. Fatkeqësisht, e njëjta Serbi që nën regjimin e Millosheviqit në vitet e 90-ta kreu gjenocid në Bosnje dhe Kosovë, vazhdon të kërcënojë pa u penduar. Serbia minon paqen në Ballkanin Perëndimor duke shkelur sovranitetin dhe integritetin territorial të fqinjëve të saj, përfshirë Kosovën. Vitin e kaluar, aksionet e njëpasnjëshme agresive të Serbisë kulmuan me një sulm terrorist në Banjskë të Zveçanit më 24 shtator 2023. Militantë të armatosur të trajnuar në Serbi, me armatim miliona euro, hynë në vendin tonë, duke organizuar një sulm nga Manastiri Ortodoks i Banjskës. Qëllimi i tyre ishte të përsërisnin veprimet e Rusisë të vitit 2014 në Donbas”, tha Kurti.
Kryeministri shtoi se ata kishin artilerinë e rëndë të nevojshme për ta bërë këtë. Pas sulmit, Policia sekuestroi 105 lloje të ndryshme armësh zjarri, mbi 80.000 fishekë, 140 granata dore, 9 mina kundër personit, 36 detonatorë dhe më shumë se 52 raketahedhës.
“Dhe kështu, nuk është e ekzagjeruar të thuhet se, më 24 shtator, policia jonë jo vetëm që po mbronte Kosovën, por edhe po parandalonte hapjen e një konflikti të ri të armatosur, të mbështetur nga Serbia dhe Rusia, i cili mund të kishte pasoja të rënda ndërkombëtare. Ndërsa Serbia vazhdon të destabilizojë veriun e Kosovës, Rusia kërkon të largojë vëmendjen nga Ukraina dhe të përshkallëzojë konfliktin diku tjetër. Banjska paraqiti një mundësi perfekte për të dy.Nëse do të kishte qenë i suksesshëm, sulmi do të kishte çuar në një përqendrim më të madh të forcave të NATO-s në Kosovë, duke tërhequr kështu burimet e kufizuara ushtarake larg Ukrainës. Kjo më pas do të kishte krijuar një hapje për Rusinë për të përshkallëzuar konfliktin e saj në Ukrainë dhe madje për ta shtrirë atë më tej në Evropë”, tha pos tjerash Kurti.
Kryeministri kurti tha se Kosova nuk po mbron vetëm sovranitetin e republikës, por po lufton në mënyrë indirekte edhe Rusinë, e cila në rajon vepron në bashkëpunim të ngushtë me Serbinë.
“Ofrimi i karotave Serbisë me shpresën e reformave paqësore nuk është zgjidhje dhe definitivisht nuk funksionon. Në vend të kësaj, ne duhet të zbatojmë masa mbrojtëse aktive kundër të gjithë atyre që kërcënojnë paqen dhe sigurinë në Ballkanin Perëndimor”, tha ai.
Sipas kryministrit Kurti është thelbësore që institucionet e Kosovës, të cilat aleatët ndihmuan në ndërtimin e tyre, të jenë të pranishme në veri, veçanërisht ato që kanë të bëjnë me paqen dhe sigurinë. “Sa më shumë të jenë të pranishme institucionet tona, aq më i madh është stabiliteti, duke çuar në prosperitet dhe duke reduktuar shanset për provokim apo konflikt”, ka thënë ai.
Kurti tha se është mirënjohës për 25 vjetorin e Polonisë të vendosjes së trupave në misionin e NATO-s KFOR në Kosovë. Ky ishte misioni i parë ushtarak ndërkombëtar i Polonisë me NATO-n.
“Kontributi i saj jo vetëm që ndihmoi në çlirimin e Kosovës, por edhe na ka mundësuar të bëhemi forcë për paqe dhe stabilitet. Më 27 maj, Kosova u bë anëtare e asocuar e Asamblesë Parlamentare të NATO-s, duke i hapur derën popullit tonë për t’u kthyer dhe për të kontribuar në ruajtjen dhe promovimin e vlerave demokratike përkrah aleatëve tanë. Sot, siguria rajonale në Evropë është siguri kolektive për Evropën. Ajo që ndodh në Ukrainë apo Poloni, në vendet e Partneritetit Lindor dhe në rajonin tonë të Ballkanit Perëndimor, prek jo vetëm kontinentin, por gjithë botën”, tha kryeministri Kurti, në këtë samit.
Për Ballkanin Perëndimor, e veçanërisht për Kosovën, integrimi i plotë euroatlantik në NATO dhe Bashkimin Evropian, mbetet qëllimi përfundimtar i sigurisë, tha tutje Kurti.
“Kjo, krahas aftësive të mjaftueshme mbrojtëse dhe marrëveshjeve dypalëshe të sigurisë me aleatët tanë më të afërt, formon një ombrellë solide sigurie. Ashtu si Rusia, NATO dhe BE kanë një histori zgjerimi. Por ndryshe nga Rusia, zgjerimi i tyre ka ecur në një mënyrë paqësore dhe demokratike. Projektet përkatëse të zgjerimit të BE-së dhe NATO-s nuk janë pa lidhje; përkundrazi, ato shkojnë dorë për dore dhe shërbejnë për të mbrojtur dhe promovuar sigurinë e të gjithë kontinentit evropian – dhe bashkë me të, të botës. Këtë të vërtetë e vërteton edhe sjellja e vetë vendeve të BE-së dhe NATO-s. Anëtarësimet e këtyre dy organizatave mbivendosen, por jo plotësisht”, tha ai. /rtk/