Osmani: Protesta e 1 tetorit 1997 ishte momenti kyç në historinë e lëvizjes së rezistencës në Kosovë
Presidentja Vjosa Osmani ka thënë se protesta e 1 tetorit 1997 ndryshoi rrjedhën e historisë dhe ishte momenti kyç në historinë e lëvizjes së rezistencës në Kosovë.
“Njëzet e shtatë vjet më parë, guximi dhe vendosmëria e studentëve të Universitetit të Prishtinës shënoi protestën vendimtare kundër mbylljes dhe okupimit të shkollave shqipe dhe universitetit nga regjimi gjenocidal i Millosheviqit. Protesta e 1 tetorit 1997, ndryshoi rrjedhën e historisë dhe ishte momenti kyç në historinë e lëvizjes së rezistencës në Kosovë. Në krye me rektorin Ejup Statovci, protesta shërbeu si një paralajmërim i hershëm për zhvillimet e mëpasme, të cilat kulmuan me luftën çlirimtare dhe me pavarësinë e Kosovës. 1 tetori i vitit 1997, është simbol i qëndresës së popullit të Kosovës dhe kujtesë se lufta për liri dhe pavarësi ishte e gjatë, e mundimshme, por triumfale”, ka thënë Osmani në deklaratën për medie.