Arrestohen tre persona për shpëlarje të parave
Tre persona janë arrestuar për dyshime rreth shpëlarjes së parave dhe veprave të tjera penale.
Aksioni i Prokurorisë Speciale e Policisë së Kosovës ka ndodhur në rajonin e Prishtinës dhe Gjilanit.
“Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës në bashkëpunim me Policinë e Kosovës, konkretisht hetues policor nga Drejtoria për Hetimin e Krimeve Ekonomike më datë 26.09.2024 kanë zbatuar urdhër kontrollin e urdhëruar nga Gjykata Themelore Prishtinë-Departamenti Special, ku janë bastisur pesë lokacione të ndryshme, katër lokacione në rajonin e Prishtinës dhe një në rajonin e Gjilanit. Bastisja është kryer me qëllim të gjetjes së dëshmive materiale dhe arrestimit të të dyshuarve të cilët dyshohet që në periudhën kohore 2020/2024 kanë kryer veprat penale, mashtrim, falsifikim i dokumenteve dhe legalizimi i përmbajtjes se pa vërtete, më të cilat veprime të dyshuarit dyshohet të kenë përfituar mjete materiale në vlera të mëdha, të cilat më pas me qëllim të futjes në sistemin financiare të RKS-së kanë kryer veprime të shumta, me të cilat dyshohet të kenë konsumuar veprën penale shpëlarja e parasë. Gjatë zbatimit të urdhër kontrollit janë arrestuar tre të dyshuar ndërsa një i dyshuar tjetër nuk është gjetur në vendbanim e tij”, ka njoftuar Prokuroria Speciale.