Kurti kërkon nga presidentja e Komisionit Evropian të hiqen masat ndaj Kosovës
Me ftesë të presidentes së Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, ka udhëtuar të enjten për në Bruksel, ku ka marrë pjesë në drekën e punës bashkë edhe me liderë të shteteve të Ballkanit Perëndimor.
Kryeministri Kurti, fillimisht ka uruar von der Leyen për rizgjedhjen e saj si presidente e Komisionit Evropian dhe është shprehur i gatshëm për ta vazhduar bashkëpunimin e afërt me qëllim avancimin e marrëdhënieve bilaterale ndërmjet Kosovës dhe Bashkimit Evropian dhe integrimin evropian të Kosovës.
Kurti ka theksuar se zgjerimi i Bashkimit Evropian, sidomos pas agresionit ushtarak rus në Ukrainë, është përgjigjja më e mirë për të gjithë ata që kërcënojnë paqen dhe unitetin e Evropës.
Në këtë kontekst, kryeministri Kurti ka bërë thirrje që të trajtohet aplikimi i Kosovës në Bashkimin Evropian dhe Kosovës t’i jepet pyetësori dhe statusi i vendit kandidat për anëtarësim. Në të njëjtën kohë, Kurti ka kërkuar që të hiqen masat restriktive mbi Kosovën, të cilat i ka quajtur të padrejta dhe jo fer.
Sa i përket Planit të Rritjes, kryeministri Kurti është shprehur se Kosova ka qenë një ndër vendet e para që ka dorëzuar Agjendën e Reformave, duke treguar kështu përkushtimin e saj për Planin e Rritjes.
Në prag të 10-vjetorit të Procesit të Berlinit, ai ka konfirmuar mbështetjen për këtë proces, teksa ka shprehur angazhimin e tij dhe të Qeverisë së Republikës së Kosovës për marrëveshje të reja, dhe në të njëjtën kohë ka theksuar rëndësinë e zbatimit të plotë të katër marrëveshjeve të mobilitetet të nënshkruara në vitin 2022 në Berlin.
Çështje të tjera që janë adresuar nga kryeministri gjatë drekës ishin edhe Programi i Transportit dhe Lehtësimit, tregu unik digjital, Zona e Përbashkët Evropiane e Pagesave (SEPA), Tregu i Përbashkët Rajonal dhe bashkëpunimi e siguria rajonale.