Pesë raste të dhunës në familje gjatë 24-orëve të fundit, dy të arrestuar
Pesë raste të dhunës në familje janë raportuar në Policinë e Kosovës në 24-orët e fundit.
Rastet kanë ndodhur në Klinë, Graçanicë, Ranillukë, Pejë dhe në Gjakovë.
Në person është shoqëruar në stacionin policor në Klinë, pasi që dyshohet se pa një mosmarrëveshje kishte sulmuar fizikisht vëllain e tij
“Pas intervistimit me vendim të prokurorit rasti shkon në procedurë të rregullt”, thuhet në njoftimin e Policisë së Kosovës.
Në rastin tjetër të dhunës në familje të raportuar në Graçanicë, thuhet se ankuesi ka raportuar djalin i tij për dhunë në familje. I dyshuari është arrestuar dhe me vendim të prokurorit është dërguar në mbajtje.
Ndërsa, në Ranillukë ankuesja, ka raportuar të dyshuarin shtetas të Serbisë-nipi i saj, për kryerje të dhunës në familje. I dyshuari është arrestuar dhe i njëjti pas intervistimit me vendim të prokurorit është dërguar në mbajtje.
Një rast i dhunës në familje ka ndodhur edhe në Pejë. Ankuesja ka raportuar se ish bashkëshorti i saj i kishte shkaktuar dhunë psikike duke e ofenduar dhe kanosur. I dyshuari është arrestuar dhe pas intervistimit me vendim të prokurorit është liruar në procedurë të rregullt.
Ndërkaq në Gjakovë është arrestuar një grua nën dyshimin se kishte sulmuar fizikisht nipat e saj. Njëri nga viktimat ka pranuar tretman mjekësor, ndërsa pas intervistimit me vendim të prokurorit e dyshuara është liruar në procedurë të rregullt.