Presidentja Osmani në New York për takime me liderë botërorë
Presidentja Vjosa Osmani ka udhëtuar në New York për takime me liderë botërorë, organizata ndërkombëtare, si dhe aktivitete të tjera në kuadër të Javës së Nivelit të Lartë të OKB-së.
Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani ka udhëtuar për në New York, ku në kuadër të Javës së Nivelit të Lartë të sesionit të 79-të të Asamblesë së Kombeve të Bashkuara do të zhvillojë takime me liderë botërorë, organizata ndërkombëtare, si dhe aktivitete tjera zyrtare, ka njoftuar Zyra e Presidentës.
Sipas njoftimit, përgjatë kësaj vizite, Osmani në takime me homologët e saj do të diskutojë për zhvillimet e fundit në Kosovë, përkushtimin e Republikës së Kosovës për ta forcuar pozitën ndërkombëtare të saj, si dhe thellimin e raporteve me shtete të tjera në përfitim të qytetarëve tanë.
“Ajo poashtu do të marrë pjesë edhe në aktivitete e diskutime të shumta të organizuara nga shtetet aleate. Në agjendën e Presidentes Osmani do të jenë edhe një sërë aktivitetesh të përbashkëta me mërgatën shqiptare në Amerikë si dhe disa nga shoqatat të cilat e zhvillojnë aktivitet në SHBA”, thuhet në njoftim, raporton rtk.