Kurti: Falë MICS të dhënat e Kosovës krahasohen me ato të vendeve të tjera
Qasja në të dhëna të besueshme dhe cilësore është thelbësore për të marrë vendime të informuara dhe për të bërë investime strategjike. Kështu tha kryeministri Albin Kurti në konferencën e Anketës me Tregues të Shumëfishtë (MICS).
“Një nga pikat më të forta të MICS është grupi gjithëpërfshirës prej 120 treguesish që i ofron. Këta tregues na mundësojnë të përzgjedhim ata më të rëndësishmit për të mbikëqyrur progresin e strategjive tona kombëtare, duke përfshirë përmirësimet në mirëqenien e fëmijëve, shëndetin e nënave dhe rezultatet në arsim”, deklaroi Kurti, njofton Kryeministria.
Ai u shpreh se ndër vite MICS ka qenë një shtyllë kryesore në formësimin e politikave të bazuara në fakte, duke mbështetur objektivat tona afatgjata për zhvillimin e Kosovës, nga Plani Kombëtar për Zhvillim deri te Strategjia për të Drejtat e Fëmijëve dhe planet sektoriale.
Para të pranishmëve, kryeministri përmendi edhe dy raundet e MICS në Kosovë, të zhvilluara në vitet 2014 dhe 2020, të cilat kanë përfshirë një mostër të veçantë për komunitetet rom, ashkali dhe egjiptian. Këto të dhëna, përveç se kanë sjell në vëmendje nevojat e komuniteteve në Kosovë, kanë ndihmuar edhe në krijimin e strategjive të synuara, siç është Strategjia dhe Plani i Veprimit për Romët dhe Egjiptianët.
Në anën tjetër, këto raunde kanë ndihmuar ASK-në të forcojë kapacitetet e saj në mbledhjen dhe analizën e të dhënave, duke mbështetur zhvillimin e politikave të bazuara në dëshmi të besueshme.
“Falë MICS, të dhënat e Kosovës mund të krahasohen me ato të vendeve të tjera të rajonit dhe më gjerë. Për më tepër, MICS na ofron një mori informacioni që mbështet monitorimin e Objektivave të Zhvillimit të Qëndrueshëm, pra të SDG-ve apo ‘Sustainable Development Goals’”, tha kryeministri Kurti, duke theksuar se MICS na vendos në hartën globale të të dhënave, duke na ofruar tregues të krahasueshëm ndërkombëtarisht dhe duke na lejuar të bëjmë një vlerësim objektiv të përparimit tonë në fusha të ndryshme.
Programi global i MICS-it është krijuar nga UNICEF në vitet 1990 si pjesë e programit ndërkombëtar të anketimit të ekonomive familjare për të mbështetur vendet të grumbullojnë të dhëna që janë ndërkombëtarisht të krahasueshme për një numër të madh treguesish mbi gjendjen e femrave dhe fëmijëve.
Të pranishëm ishin edhe Arnhild Spence, Koordinatore Rezidente e Kombeve të Bashkuara për Zhvillimin në Kosovë, Avni Kastrati, UD i Kryeshefit Ekzekutiv të Agjencisë së Statistikave të Kosovës, Veronika Vashchenko, Shefe e UNICEF-it në Kosovë, përfaqësues të korit diplomatik e përfaqësues të kabinetit qeveritar, raporton rtk.