Kosova dhe Gjermania diskutojnë çështjet sociale, shqetësuese largimi i infermierëve dhe mjekëve

Kosova dhe Gjermania diskutojnë çështjet sociale, shqetësuese largimi i infermierëve dhe mjekëve

Komisioni për Shëndetësi dhe Mirëqene Sociale dhe Komisioni për Buxhet, Punë dhe Transfere ka pritur në takim një delegacion nga Komisioni i Punës dhe Çështjeve Sociale nga Parlamenti Gjerman.

Largimi i infermierëve dhe mjekëve në shtetet e BE-së, sidomos në Gjermani, ishte çështje diskutimi mes dy delegacioneve, raporton Ekonomia Online.

Takimi synon të gjejë mënyra bashkëpunimi ndërmjet të dyja vendeve, të cilat kanë bashkëpunim të ngushtë në fushën e shëndetësisë.

Kryetarja e Komisionit për Shëndetësi dhe Mirëqene Sociale, Fatmire Kollçaku, vlerësoi mundësinë e bashkëpunimit në funksionalizimin e ndërmarrjeve sociale.

“Qeveria po subvencionon qytetarët në pajisje efiçiente dhe po bëjmë ndryshime të mëdha në pjesën e legjislativit për të përmirësuar jetën sociale në Kosovë. Kosova dhe Gjermania kanë një bashkëpunim të madh në fushën e shëndetësisë, dëshira jonë mbetët që mjekët tanë të përfitojnë nga avancimet në mjekësi në shtetin tuaj dhe këto përvoja t’i sjellin në vendin e tyre. Pra qëllimi ynë është që ata të kthehen në Kosovë dhe të kontribuojnë në vendin tonë. Sigurisht për ne është më rëndësi të dimë për mirëqenien e gjithë kosovarëve në Gjermani, jo vetëm për ata që janë atje me kontrata pune, por edhe kosovarët që kanë shtetësi gjermane”, tha ajo.

Deputeti gjerman, Carl-Julius Cronenberg, theksoi rëndësinë e sigurimit shëndetësor në Kosovë, që sipas tij do të krijonte një standard të ri në fushën e shëndetësisë në Kosovë.

“Kosova pas disa viteve do të mund t’i bashkohet BE-së dhe kjo na gëzon neve, me gjithë vështirësitë që po kalon tash në fazën e dialogut me shtetin fqinj. Aspektet e shëndetësisë, nuk është pse Gjermania është atraktive për profesionistët shëndetësorë, por që Kosova ka nevojë për një sistem solid shëndetësor, duke nisur nga sigurimet shëndetësore, dhe çka mund të bëhet është një bashkëpunim më i madh ndërmjet klinikave të të dyja vendeve. Gjermania ka interes ta shoh Kosovën në BE, për të pasur më lehtë bashkëpunimin ndërmjet të dyja vendeve”, tha Cronenberg.

Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Armend Zemaj, tha se është e nevojshme që të gjendët një mundësi për kontroll shtetëror për pjesën deficitare të profesionisteve shëndetësorë të Kosovës, që të këtë marrëveshje ndërmjet të dyja vendeve, në specializime dhe përvoja tjera, që ndihmojnë shëndetësinë në Kosovë dhe jo vetëm të ikin profesionistët.

Ndërkaq deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Bekim Haxhiu, përmendi sfidat që kanë qytetarët në trajtim shëndetësor në mungesë që sigurimeve shëndetësore.

Deputeti i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Pal Lekaj, ka kërkuar nga Gjermania që të ketë ndikim tek investitorët e huaj që të vijnë dhe të investojnë në Kosovë, pasi sipas tij, vendi ka papunësi dhe varfëri të madhe.

Share This