Llapi mposht Dritën në derbin e fundjavës, Malisheva e fortë për Dukagjinin
Llapi ka shënuar fitore me rezultat 1-0 ndaj Dritës në kuadër të javës së pestë në Albi Mall Superligën e Kosovës.
Mysafirët e nisën më mirë takimin duke kontrolluar tempon e lojës dhe herë pas here duke sulmuar Llapin, por pa arritur që të krijojnë ndonjë rast të pastër shënimi.
I pari që rrezikoi në këtë sfidë ishte Besnik Krasniqi i cili në minutën e 35-të provoi një gjuajtje e cila shkoi mbi portë.
Me rezultat të barabartë 0-0 përfunduan 45 minutat e para të këtij ballafaqimi.
As pjesa e dytë nuk prodhoi shumë sa i përket rasteve për gol, megjithatë Llapi ia arriti që të shënojë krejt në fund të takimit për të rrëmbyer tri pikë.
Ishte Blendi Baftiu ai i cili u përkujdes për t’i dhuruar Llapit fitoren e parë pas tri ndeshjeve duke shënuar për 1-0 pak çaste para fundit të takimit.
Llapi tani numëron shtatë pikë dhe mban pozitën e pestë në tabelë, ndërsa Drita renditet në pozitën e tetë me tri pikë, por me dy ndeshje më pak të zhvilluara.
Javën e ardhshme Drita do të luajë derbin ndaj Ballkanit në shtëpi, ndërsa Llapi do të jetë mysafir i Ferizajt.
Malisheva fiton tri pikë të vlefshme ndaj Dukagjinit në Klinë
Malisheva ka arritur të shënojë fitore me rezultat 3-1 në udhëtim ndaj Dukagjinit ndeshje e vlefshme për javën e pestë në elitën e futbollit kosovar.
Mysafirët ia dolën që të kalojnë në epërsi në minutën e tetë të takimit falë një super goli të realizuar nga Vesel Limaj prej gjuajtjes së lirë për 1-0.
Reagimi i Malishevës erdhi në minutën e 21-të atëherë kur të besuarit e Ismet Munishit arritën që të barazojnë shifrat.
Për të barazuar rezultatin u përkujdes transferimi i ri i Malishevës këtë verë, Mërgim Pefqeli, i cili realizoi për 1-1.
Në pjesën e dytë Malisheva ia doli që ta rikthejë sërish epërsinë, duke gjetur golin kësaj radhe me Arbër Pirën në minutën e 50-të për 2-1.
Për të shuar plotësisht shpresat e Dukagjinit për ndonjë rezultat pozitiv u përkujdes Laurent Xhylani i cili në minutën e 80-të shënoi për 3-1 pas asistimit të Arbër Pirës, shkruan telegrafi.
Kjo ishte fitorja e tretë radhazi për Malishevën teksa tashmë numërojnë shtatë pikë të fituara dhe renditen në pozitën e tretë në tabelë, ndërsa Dukagjini mban vendin e pestë me gjashtë sosh.