Evropa Qendrore përgatitet për përmbytje të mëdha
Shërbimet emergjente në Evropën Qendrore po përgatitën për vërshime masive pasi së paku 5 persona humbën jetën në Poloni dhe Rumani, ku ujërat shkaktuan dëme të mëdha.
Vendet e Evropës Qendrore po përgatiten për arritjen e vërshimeve masive të cilat, tanimë, kanë shkaktuar së paku 4 viktima në Rumani dhe një në Poloni.
Vërshimet, e nxitura nga shtrëngata e quajtur Boris gjithashtu shkaktoi dëme masive në infrastrukturë dhe prona private duke detyruar autoritetet në këto dy shtete që të urdhërojnë evakuimin e dhjetëra mijëra banorëve nga zonat më të rrezikuara.
Njëkohësisht është bërë e ditur edhe se, si pasojë e vërshimeve, më shumë se 50 mijë familje çeke kanë mbetur pa energji elektrike.
Ekipet emergjente në disa prej rajoneve më të goditura kanë thënë se më nuk janë në gjendje të ndalojnë vërshimet dhe kanë shtuar se përderisa vazhdojnë shirat e fuqishëm ata nuk do të mund të bëjnë asgjë për të ndaluar përhapjen e ujërave.
Sipas ekspertëve, shtrëngata jashtëzakonisht e fuqishme si dhe reshjet masive janë pasojë e ndryshimeve klimatike dhe ata paralajmërojnë se ngjarje të tilla do të ndodhin më shpesh në të ardhmen. /rtk/