Vizita në veri, ZKM ndan foto të Kurtit duke kaluar mbi Urën e Ibrit e biseduar me ushtarët italianë

Vizita në veri, ZKM ndan foto të Kurtit duke kaluar mbi Urën e Ibrit e biseduar me ushtarët italianë

Zyra e Kryeministrit ka dhënë detaje për vizitën e Kryeministrit Albin Kurti në Mitrovicën e Veriut.

Në njoftim, ZKM nuk ka përmendur çështjen e Urës së Ibrit, mirëpo ka ndarë një fotografi ku shihet Kurti duke kaluar mbi këtë urë. Në një tjetër fotografi, Kurti shihet duke biseduar me ushtarët italian të KFOR’it, shkruan Reporteri.net.

Lidhur më çështjen e urës, Kurti ka folur para gazetarëve sot. Kurti tha se vlerësimi i qëndrueshmërisë fizike dhe teknike të urës është bërë, por tani po presin nga QUINT-it dhe KFOR-i.

Sipas Kurtit, Ura e Ibrit duhet të hapet edhe për vetura, pasi edhe vetë marrëveshja në Bruksel e kërkon një gjë të tillë.

“Ne jemi gati, me konsultime dhe koordinim, po i presim QUINT-in dhe KFOR-in, ne i kemi kryer punët tona, kemi bërë përgatitjet sa i përket pastrimit, mjedisit rrotull aty, edhe vlerësimit të qëndrueshmërisë në aspektin fizik dhe teknik, tashmë kanë kaluar bukur kohë që raporti preliminar thotë se ura është e qëndrueshme, besoj ajo urë duhet të hapet edhe për automjete sepse liria e lëvizjes, sundimi i ligjit dhe marrëveshja në Bruksel e kërkojnë një gjë të tillë”, tha Kurti para gazetarëve.

Për çështjen e hapjes së Urës së Ibrit foli javën e kaluar edhe emisari sllovak, Miroslav Lajçak i cili pas takimit që pati me zëvendëskryeministrin Besnik Bislimi, tha se ajo duhet të hapet vetëm në koordinim me partnerët ndërkombëtarë të Kosovës.

“Diskutuam edhe për urën e Ibrit, qëndrimi i BE-së është i njohur dhe do ta përsërisim se ura duhet të hapet, por duhet të hapet në koordinim me me partnerët e ngushtë të Kosovës”, tha Lajçak para mediave.

Gjatë qëndrimit në Mitrovicën e Veriut, Kurti ka vizituar edhe disa biznese që janë hapur tash, të cilat krijojnë mundësi të mira e të përshtatshme të krijimit të vendeve të reja të punës e rritjes së punësimit të qytetarëve pa dallim, rritjes së mirëqenies e garantimit të gjithëpërfshirjes.

“Potenciali zhvillimor i komunës së Mitrovicës së Veriut është i lartë dhe si i tillë duhet shfrytëzuar pozitivisht në të mirë të qytetarëve. Hapja e bizneseve të reja dhe zhvillimi i tyre ndikojnë në progresin e katër komunave në veri të vendit të cilat tashmë kanë nisur të lulëzojnë dhe ecin drejt rrugës së prosperitetit pas një periudhe të gjatë e të errët të ndikimit të bandave kriminale”, thuhet në njoftim.

Tutje, thuhet se Kurti theksoi mbështetjen e Qeverisë për iniciativat që ndikojnë në përmirësimin e jetesës së qytetarëve dhe rritjen e punësimit si dhe përkrahjen e palëkundur për punën e komunës së Mitrovicës së Veriut.

Share This