FFK reagon ndaj provokimeve në ndeshjen Farul Constanta-Mitrovica
Federata e Futbollit e Kosovës, ka reaguar ashpër ndaj sjelljeve të papranueshme të tifozëve rumun gjatë ndeshjes së Ligës së Kampionëve për femra ndërmjet Farul Constanta dhe Mitrovicës, e cila u zhvillua, të mërkurën, në stadiumin “Central Stadium Hagi Academy” në Constanta.
Shfaqja e flamujve të Serbisë dhe thirrjet kundër shtetit të Kosovës janë veprime të papranueshme dhe të dënueshme, e që bien ndesh me frymën e futbollit dhe ‘fair play’-it.
“FFK do të dërgojë një notë proteste zyrtare në Federatën e Futbollit të Rumanisë dhe në UEFA, duke kërkuar ndëshkime dhe veprime konkrete ndaj provokimeve të tilla dhe për të parandaluar përsëritjen e situatave të ngjashme në të ardhmen. Jemi të bindur se bashkëpunimi dhe respekti i ndërsjellë janë kyç për të ruajtur vlerat e vërteta të futbollit”, thuhet në njoftimin e FFK-së.
Sipas këtij njoftimi, futbolli duhet të shërbejë si urë bashkimi dhe jo si platformë për nxitjen e urrejtjes dhe tensioneve ndërmjet popujve.
“Pavarësisht provokimeve të tilla në prag të ndeshjes tejet të rëndësishme ndërmjet Kombëtares së Kosovës dhe asaj të Rumanisë, FFK apelon tek opinioni futbolldashës që të jenë të përqendruar vetëm në futboll, duke lënë mënjanë sjelljet e tilla të tifozëve rumun dhe nga shtete tjera mosnjohëse të pavarësisë së Kosovës. Futbollistët tanë dhe tifozët do të vazhdojnë të jenë shembull i sjelljes sportive, duke u fokusuar vetëm në fushën e lojës dhe duke treguar motivimin dhe përkushtimin maksimal për të arritur sukseset e reja”, thuhet në njoftimin e shtëpisë së futbollit kosovar.