Të paktën 320 të vdekur pas shirave të dendur dhe përmbytjeve

Të paktën 320 të vdekur pas shirave të dendur dhe përmbytjeve

Shirat e dendur dhe përmbytjet shkaktuan vdekjen e të paktën 320 njerëzve në Pakistan gjatë dy muajve të fundit, pasi sezoni i musonit shkaktoi kërdi në të gjithë vendin, sipas të dhënave zyrtare.

“Të paktën 10 persona u vranë gjatë 24 orëve të fundit për shkak të rrufeve, rrëshqitjeve të dheut dhe përmbytjeve të shpejta”, tha Autoriteti Kombëtar i Menaxhimit të Fatkeqësive (NDMA) në përditësimin e tij të fundit.

“Mes të vdekurve që nga korriku, 162 ishin fëmijë, 49 ishin gra dhe 109 ishin burra. Gjithashtu 598 njerëz janë plagosur – përfshirë gra dhe fëmijë”, tha NDMA.

Shirat e këtij sezoni kanë shkaktuar dëme të mëdha në infrastrukturë, me rreth 24,000 shtëpi të goditura.

Në maj, miliona njerëz në Pakistan u prekën nga një valë e të nxehtit. Temperaturat u rritën në 53 gradë Celsius në provincën jugore të Sindh, duke rezultuar në dhjetëra vdekje. Rajoni tani po përballet me përmbytjet e shpejta të shkaktuara nga musonët.

Pakistani është përgjegjës për më pak se 1% të emetimeve globale të karbonit dhe renditet ndër 10 vendet e para më të prekura ndaj ndryshimeve klimatike.

Çdo vit, qindra njerëz humbasin jetën nga fatkeqësitë e shkaktuara nga klima në vend – ndërsa mijëra të tjerë kanë humbur shtëpitë dhe mjetet e jetesës.

Vendi është ende duke u rikuperuar nga përmbytjet shkatërruese të vitit 2022. Përmbytjet rekord rezultuan në mbi 2 000 vdekje, duke lënë një të tretën e Pakistanit të zhytur në ujë dhe duke shkaktuar dëme me vlerë 40 miliardë dollarë në ekonominë e kombit të varfër të Azisë Jugore.

Ndërsa ndryshimet klimatike vazhdojnë të përkeqësojnë shpeshtësinë dhe ashpërsinë e fatkeqësive natyrore, Pakistani mbetet në vijën e parë të krizës globale. /atsh

Share This