Ekspertët e sigurisë: Hapja e Urës pa pëlqimin e aleatëve është aventurë e rrezikshme
Hapja e Urës së Ibrit pa një konsultim paraprak me aleatët, rrezikon raportet me ndërkombëtarët dhe rrezikon të rikthejë situatën 15 vjet mbrapa duke barrikaduar në tërësi Urën e Ibrit nga KFOR-i. Kështu vlerësojnë njohës të çështjeve të sigurisë.
Profesori universitar, Fatmir Çollaku, ka thënë për Ekonomia Online se është një “aventurë e rrezikshme”, insistimi i qeveritarëve për hapjen e Urës së Ibrit pa pëlqimin e aleatëve ndërkombëtar.
Ai konsideron se situata mund të kthehet në vitin 2004 – që forcat e KFOR-it ta barrikadojnë pjesën që ndanë Mitrovicën e Veriut me atë të Jugut, transmeton Klankosova.tv.
“Është aventurë e rrezikshme hapja e Urës pa pëlqimin dhe dakordimin e miqve ndërkombëtar, patjetër duhet të ketë dakordim me SHBA-në dhe NATO-n, sepse në të kundërtën është kundër efekt hapja e Urës së Ibrit një anshëm, duhet patjetër të ketë koordinim dhe bashkëpunim me miqtë tanë ndërkombëtarë, posaçërisht SHBA-në dhe NATO-n. Nuk ka rrezik fare por ka hapa mbrapa sepse KFOR-i shumë lehtë, brenda një kohe shumë të shkurtër një orë apo dy, mund ta barrikadojë, përkatësisht mund ta bllokojë urën me autoblinda ose tela gjemborë dhe çdo gjë kthehet 15 vjet mbrapa”, ka thënë ai.
Por të kundërtën e mendon eksperti i sigurisë, Nuredin Ibishi. Ai mendon se hapja e urës nuk ka rrezik për eskalim të situatës. Sipas tij, liderët institucional duhet të marrin vendime në bashkëpunim me ndërkombëtarët.
“Mendoj që ky status ka gjasa të ndërpritet dhe Ura do të hapet, nuk ka asnjë rrezik për një eskalim të situatës por duhet që liderët mos të marrin vendim të njëanshëm por çdoherë në bashkëpunim edhe me partnerë strategjik në raport me SHBA-në për të cilët u dha vërejtja se do të shkoni në përmes takimeve të Brukselit, si marrëveshje e Brukselit e cila në vitin 2017 ka pasur një formë me planin e veprimit por mendoj që edhe këto nuk do të sjellin rezultate por gjithsesi, lidershipi jonë duhet të zbatojë këto sugjerime apo udhëzime të partnerëve tonë ngase vendimet e një anshme mund të sjellin situatën, për shkak të tensioneve rajonale që mjafton diku të shkrepë dhe ajo në formë zingjirore të përhapet edhe mundësia e konfliktit, dhe andaj duhet të jenë të kujdesshëm të kenë në bashkë rëndim dhe bashkë veprim me prezencën ndërkombëtare në Kosovë”, ka thënë Ibishi.