Dukagjini realizon fitoren e dytë radhazi, mposht Feronikelin
Skuadra e Dukagjinit arriti fitoren e dytë radhazi në Superligën e Kosovës në futboll. Në kuadër të xhiros së katërt, skuadra e drejtuar nga Ismet Munishi e mposhti Feronikelin 74, në stadiumin “Rexhep Rexhepi” në Drenas, me rezultat 2:0.
Për skuadrën nga Drenasi kjo ishte disfata e katërt radhazi dhe aktualisht renditet në fund të tabelës. Ky pozicion ka shkaktuar shqetësim te tifozët, të cilët shkaktuan incident duke dashur të hyjnë në fushë, duke çuar në ndërprerjen e përkohshme të ndeshjes nga minuta e 27-të, e cila rifilloi pas dhjetë minutash, pas ndërhyrjes së forcave të rendit për të qetësuar situatën.
Golat që i dhanë fitoren Dukagjinit u shënuan nga qendërmbrojtësi Ilir Syla dhe sulmuesi Ebrima Jatta. Syla realizoi një gjuajtje të fuqishme nga jashtë zonës në minutën e 13-të, ndërsa Jatta shënoi në minutën e 58-të, pas një manovre të suksesshme ndaj mbrojtësve kundërshtarë.