Drita e përfundon aventurën në Ligën e Konferencës, eliminohet nga Legia
Drita e ka përfunduar rrugëtimin e saj në Ligën e Konferencës pasi është eliminuar nga Legia e Varshavës në fazën e `play-off`-it.
Ndeshja kthyese e luajtur në stadiumin “Fadil Vokrri” në Prishtinë, përfundoi me fitoren e mysafirëve 0:1. Kësisoj, skuadra polake u kualifikua tutje me rezultatin e përgjithshëm 3:0.
Pavarësisht përpjekjeve të mëdha dhe një angazhimi të fortë, Drita nuk arriti të gjejë rrjetën e kundërshtarëve. Ndeshja filloi me intensitet të lartë nga vendasit, të cilët kërkonin të rikthenin shpresat për një kualifikim të mundshëm. Qendërmbrojtësi Juan Mesa pati rastin e parë të mirë për shënim, por ai nuk arriti ta dërgojë topin te bashkëlojtarët e tij në afërsi të portës.
Më afër golit ishte sulmuesi Veton Tusha, i cili në minutën e 27-të, pas një harkimi të Besnik Krasniqit, nuk arriti të kontrollojë siç duhet topin brenda zonës kundërshtare.
Në pjesën e dytë, mesfushori Ilir Mustafa kishte mundësinë më të mirë për Dritën në minutën e 75-të, kur nga zona gjuajti me të majtën, por topi përfundoi fare pranë shtyllës pingule. Pak më vonë, në minutën e 77-të, Drita mbeti me një lojtar më pak pasi kapiteni Rron Broja u ndëshkua me kartonin e dytë të verdhë, duke lënë skuadrën e tij në disavantazh numerik.
Portën polake e kërcënoi seriozisht edhe Almir Ajzeraj me gjuajtje nga distanca, por pa sukses. Në anën tjetër, Legia, e cila kishte një epërsi komode nga ndeshja e parë e menaxhoi mirë rezultatin dhe u mbrojt me sukses, teksa krejt në minutat shtesë shënoi golin e fitores përmes çekut, Pekhart.