Turqia ndan 1 milion dollarë për FSK-në
Ministri i Mbrojtjes Ejup Maqedonci, ka njoftuar se zyrtarisht ka pranuar vendimin e Qeverisë së Republikës së Turqisë, e cila ka ndarë për Ministrinë e Mbrojtjes së Republikës së Kosovës 31 milionë lira ose rreth 1 milion dollarë amerikanë donacion për ngritjen e kapaciteteve ushtarake të FSK-së.
Maqedonci ka thënë se ky donacion është pjesë e programit të mbështetjes së jashtme ushtarake të qeverisë turke.
“Marrëdhëniet mes dy vendeve tona kanë qenë gjithnjë në nivelet më të larta dhe kontributi i Republikës së Turqisë në ngritjen e kapaciteteve të Forcës së Sigurisë së Kosovës ka qenë i vazhdueshëm si në aspektin e trajnimeve, ashtu edhe në atë të pajisjeve ushtarake. Falënderoj Republikën e Turqisë për donacionin dhe sigurojë që bashkëpunimi ynë i ndërtuar në frymën e besimit të dyanshëm, do të vazhdojë edhe në vitet në vijim”, ka shkruar Maqedonci në “Facebook”.
Në këtë drejtim, ai ka thënë se Turqia si shtet mik mbetet njëri nga partnerët strategjikë më të rëndësishëm për Republikën e Kosovës.