“Vehabisti u vra në përleshje me policinë në afërsi të Novi Pazarit”, thotë Daçiq
Ministri i Punëve të Brendshme të Serbisë, Ivica Daçiq, ka thënë se mbrëmë në fshatin Hotkovë, afër Novi Pazaratit, është likuiduar vehabisti Senad Ramoviq-Beçan, i cili gjatë arrestimit të tij ka rezistuar dhe ka shtënë në drejtim të policisë, mesnatën e së shtunës.
“Ramoviq ka refuzuar të dorëzohet gjatë arrestimit dhe ka gjuajtur tre apo katër të shtëna në drejtim të policisë”, ka thënë Daçiq, siç raporton MPB-ja e Serbisë.
MPB e Serbisë raporton se Daçiq ka deklaruar se Ramoviq nuk është arrestuar në shtëpinë e tij në Hotkovë, por në shtëpinë e afërt të kunatit të tij Aldin Birçoviq nga Novi Pazari, i cili aktualisht është duke vuajtur dënimin me burg në Nish.
Ai shtoi se Ramoviq i ka rezistuar edhe policisë gjatë kontrolleve të mëparshme, shkruan Radio Evropa e Lirë në gjuhën serbe.
Ministri i Brendshëm tha se Ramoviq ishte në arrati pas sulmit terrorist para ambasadës izraelite në Beograd në qershor dhe se në një moment fshihej në Kosovë.
“Ky aksion është vazhdimësi e veprimeve të kryera pas aktit terrorist para ambasadës izraelite në Beograd”, tha Daçiq.
Daçiq shtoi se operacioni për arrestimin e Ramoviqit është kryer në koordinim me Agjencinë për Siguri dhe Informacion të Serbisë (BIA), Ministrinë e Punëve të Brendshme (MPB) dhe Prokurorinë e Lartë Publike në Novi Pazar.