Harris: Koha për të arritur një marrëveshje armëpushimi në Gaza
Zëvendëspresidentja e SHBA-së, Kamala Harris, u tha protestuesve pro palestinezë që brohoritnin slogane në tubimin e saj të fushatës elektorale në Arizona se ”është koha për të arritur një marrëveshje armëpushimi dhe për të përfunduar një marrëveshje pengjesh”.
Harris iu përgjigj mbështetësve pro palestinezë që brohoritnin ”Palestina e lirë” në tubimin e mbajtur në Feniks.
”Unë kam qenë e qartë. Tani është koha për të arritur një marrëveshje armëpushimi dhe për të përfunduar marrëveshjen e pengjeve. Koha është tani”, tha ajo.
Duke theksuar se presidenti Joe Biden dhe ajo po punojnë për të arritur një marrëveshje armëpushimi dhe për kthimin e pengjeve, Harris tha se ”respekton pikëpamjet e mbështetësve pro palestinezë”.
Pavarësisht thirrjeve nga ndërmjetësit të enjten, përfshirë Egjiptin, SHBA-në dhe Katarin, për të ndaluar armiqësitë si dhe për të arritur një armëpushim dhe një marrëveshje për shkëmbimin e pengjeve, Izraeli vazhdon me ofensivën vdekjeprurëse në Rripin e Gazës.
Që nga tetori i kaluar pas një sulmi ndërkufitar nga grupi i rezistencës palestineze Hamas, sulmet izraelite ndaj Rripit të Gazës kanë vrarë të paktën 39 700 palestinezë.
Izraeli akuzohet për gjenocid në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë, e cila e urdhëroi Tel Avivin të ndalojë menjëherë operacionet ushtarake në qytetin jugor Rafah, ku më shumë se një milion palestinezë kanë kërkuar strehim nga lufta përpara se qyteti të pushtohej më 6 maj. /atsh/