Ish e dashura e Faton Hajrizit: Nuk e di çka i kanë bërë, trupi i tij është totalisht i shkatërruar
“Nuk e di çfarë kanë bërë me trupin e tij, por është totalisht i shkatërruar. E pashë me qefinin e mbuluar”. Kështu është shprehur Liridona Shala, tashmë ish e dashura e Faton Hajrizit, citon “Euronews Albania”.
E pyetur për gjendjen në të cilën ajo dhe familja e tij gjenden me mbërritjen e trupit te Faton Hajrizit në Kosovë, ajo shtoi se “humbja e tij na ka bërë të humbim edhe shpresat për të jetuar”.
Trupi i pajetë i Hajrizit, i cili u vra para disa javësh në Lloznicë të Serbisë, është kthyer këtë të premte në Prishtinë, dhe dërguar në IML. Nga aty, avokati Arianit Koci ka konfirmuar se nëna dhe vëllai i Faton Hajrizit kanë identifikuar trupin e viktimës.
“Kufomën të cilën e solla mbrëmë është pa asnjë dyshim e Fatonit. Këtë e pohoi sot nëna e Fatonit, gjatë procedurës së identifikimit“, shkroi avokati në facebook.
Hajrizi ishte arratisur nga një burg në Kosovë më 6 korrik dhe u bë i dyshuar për vrasjen e një polici serb dhe plagosjen e një tjetri në orët e para të 18 korrikut në Lloznicë, qytet në pjesën perëndimore të Serbisë.
Ministri i Punëve të Brendshme të Serbisë, Ivica Daçiç, deklaroi në korrik se Hajrizi u vra në vendin e quajtur Banja Kovilaça, pasi autoritetet serbe kishin qenë në kërkim të tij që nga vrasja e policit. Sipas tij, ai ishte fshehur buzë lumit Drina, duke kërkuar një mënyrë për ta kaluar atë.
Serbia ka kërkuar që Gjermania të ekstradojë vëllain e Fatonit, Artanin, pasi në vendin e ngjarjes, u gjetën dokumente në emër të tij.