KFOR-i mohon se ka qenë i përfshirë në testimin e urës mbi Ibër
Misioni paqeruajtës i NATO-s në Kosovë, KFOR ka thënë se nuk ishte i përfshirë në testimin e urës kryesore mbi lumin Ibër në Mitrovicë.
Zëdhënësi i KFOR-it mohoi për Kossev që misioni, në koordinim me Ministrinë e Infrastrukturës së Prishtinës, të ketë marrë pjesë në inspektimin teknik të urës në Ibër dhe theksoi se ky ishte informacion i pasaktë.
Dje katër kamionë të ngarkuar rëndë erdhën nga ana jugore e urës kryesore për të testuar kapacitetin e saj mbajtës, për të cilin do të raportohet në ditët në vijim.
Qëllimi ishte testimi i qëndrueshmërisë së urës, të cilën Qeveria po bën përgatitje që ta hapë edhe pse ndërkombëtarët kanë kërkuar që një çështje e tillë të jetë pjesë e dialogut.
Qeveria e Kurtit, në mes të korrikut njoftoi se synon të hapë urën kryesore mbi lumin Ibër në Mitrovicë për trafik.
Megjithatë, vendet e QUINT-it – SHBA, Britania e Madhe, Gjermania, Franca dhe Italia deklaruan se nuk e mbështesin hapjen e urës në këtë moment.
Për çështjen e hapjes së urës, dje është mbajtur një debat publik nën organizimin e Qeverisë së Kosovës dhe Komunës së Mitrovicës së Veriut. Pjesëmarrja ishte e vogël.
Ministri i Administrimit të Pushtetit Lokal, Elbert Krasniqi, i cili ishte i pranishëm në këtë debat, tha se është absurde që Ura e Ibrit të mbahet e mbyllur.
“Është absurde që ura të vazhdojë të jetë e mbyllur. Jemi të sigurt se liria e lëvizjes do të jetë më e lehtë”, theksoi ai.
Para fillimit të debatit, Policia e Kosovës arrestoi dy politikanët serbë nga partia Demokracia Serbe, Alleksandar Arsenijeviq dhe Stefan Vellkoviq, për pengim të zyrtarëve që po lyenin murin afër urës kryesore mbi Ibër.
Për këtë rast, Policia doli më vonë me një njoftim zyrtar, ku tha se të njëjtit kanë filluar të pengojnë punëtorët të cilët ishin të kontraktuar dhe të angazhuar për të pastruar disa grafite me mbishkrime nacionaliste, të cilat ishin në shesh afër urës.
Lidhur me zhvillimet e fundit, mbylljes së degëve të Postës së Serbisë në veri dhe synimit të Qeverisë për hapjen e urës së Ibrit, Bashkimi Evropian ka ka paralajmëruar se mund të ketë ashpërsim të masave ndaj Kosovës.
“Në vend të hapave që do të çonin në uljen e tensioneve, janë ndërmarrë shumë e më shumë hapa dhe vendime të njëanshme që çojnë drejt përshkallëzimit. Atëbotë thamë që masat janë progresive, ato mund të ashpërsohen apo lehtësohen varësisht nga zhvillimi i situatës. Kjo pjesë prek pjesën e parë të pyetjes, se çfarë do të bëjmë [pas vendimeve të fundit të autoriteteve në Kosovë]. Pra, kemi masa në fuqi dhe këto masa mund të ashpërsohen nëse për një gjë të tillë pajtohen të gjithë akterët e BE-së”, tha Stano.
Stano tha se blloku evropian ai ka përcjell qëndrimin Qeverisë së Kosovës në shumë mënyra dhe nuk është vetëm BE-ja që po kundërshton vendimet e fundit të autoriteteve kosovare.
“Praktikisht të gjithë partnerët ndërkombëtarë të Kosovës po i thonë administratës në Prishtinë të mos angazhohet në këtë seri hapash të pakoordinuar, të njëshëm dhe negativë. Shpresoj që ata më në fund do të dëgjojnë mesazhin tonë dhe të na ndalojnë që të shqyrtojmë se çfarë lloje masash ne do të vendosnim në përgjigje [ndaj Kosovës] nëse situata nuk ndryshon”, deklaroi Stano.
Ndërkohë, Ambasada e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë ka shpërndarë deklaratën e zëdhënësit të Departamentit Amerikan të Shtetit, Matthew Miller i cili tha se janë të shqetësuar me veprimet e fundit “të pakoordinuara” të lidershipit të Kosovës.
Në citatin e publikuar nga Ambasada amerikane në Prishtinë, thuhet se ShBA-ja inkurajon Qeverinë e Kosovës që të kthehet në angazhimin e ngushtë dhe konstruktiv me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Bashkimin Evropian, NATO-n dhe partnerët e tjerë të ngushtë.
“Jemi të shqetësuar nga vazhdimi i vendimeve të pakoordinuara nga lidershipi i Kosovës. Ne besojmë se ata i vënë në rrezik mundësitë që ne e kemi ndihmuar Kosovën t’i krijojë. Nëse shikoni historinë që nga pavarësia e Kosovës, Shtetet e Bashkuara kanë mbështetur fuqishëm integrimin e tyre të plotë në bashkësinë ndërkombëtare si një demokraci sovrane multietnike, por për të realizuar këtë vizion, që është një vizion që ne ndajmë, ne kemi bashkëpunuar me liderët e njëpasnjëshëm politikë të Kosovës për masat që rrisin paqen dhe prosperitetin në vend, duke avancuar Kosovën në këtë rrugë euroatlantike për të cilën ju keni rënë dakord”.
“Dhe kështu ajo që ne do të inkurajonim Qeverinë e Kosovës që të kthehet në angazhimin e ngushtë dhe konstruktiv me Shtetet e Bashkuara, me BE-në, me NATO-n dhe partnerët e tjerë të ngushtë ndërkombëtarë të Kosovës. Dhe ne ia kemi bërë të qartë – siç po e bëj të qartë publikisht, ne ia kemi bërë të qartë këtë privatisht edhe qeverisë”, thuhet në deklaratën e zëdhënësit të DASH.