Paralajmërimi për një “megatërmet”, kryeministri japonez anulon udhëtimin
Kryeministri i Japonisë, Fumio Kishida, ka hequr dorë nga planet për një udhëtim në Azinë Qendrore, pasi ekspertët e motit paralajmëruan rrezikun e një “megatërmeti” në Paqësor, pak orë pas lëkundjeve në ishullin e Kjushusë.
Tërmeti me magnitudë 7,1 goditi ishullin në jugperëndim të vendit duke plagosur tetë persona, ndërsa banorët u sinjalizuan për një cunam.
Kishida duhej të nisej të premten për në Kazakistan, Uzbekistan dhe Mongoli.
“Si kryeministri me përgjegjësinë më të lartë për menaxhimin e krizave, vendosa që të qëndroj në Japoni për të paktën një javë,” u tha ai gazetarëve.
Agjencia Meteorologjike e Japonisë (JMA) ka dhënë njoftimin e saj të parë paralajmërues sipas një sistemi të ri të hartuar pas tërmetit me magnitudë 9,0 në vitin 2011, që shkaktoi cunamin vdekjeprurës dhe fatkeqësinë bërthamore, duke vrarë rreth 18.500 banorë.
“Mundësia e një tërmeti të ri të madh është më e lartë se normalja, por ky nuk është tregues se tërmet i madh do të ndodhë patjetër,” tha JMA.
I ndodhur në majë të katër pllakave kryesore tektonike, arkipelagu japonez me 125 milionë banorë përjeton rreth 1.500 tërmete çdo vit, shumica të vegjël.
Qeveria ka thënë më parë se ekziston 70 për qind mundësia e një megatërmeti brenda 30 viteve të ardhshme. Sipas ekspertëve, një pjesë e madhe të vijës bregdetare japoneze nga Paqësori mund të preket dhe do të kërcënoheshin rreth 300.000 jetë njerëzish. /rtsh/