Macron i kërkon presidentit të Iranit të lehtësojë tensionet në Lindjen e Mesme
Presidenti francez Emmanuel Macron i ka kërkuar presidentit të ri të Iranit, Masoud Pezeshkian të shmangë përshkallëzimin e situatës në Lindjen e Mesme.
“Macron i bëri thirrje Pezeshkian të bëjë gjithçka që është e mundur për të parandaluar përshkallëzimin e mëtejshëm ushtarak – nga i cili nuk do të përfitonte askush – madje as Irani – dhe do të shkaktonte dëme të qëndrueshme në stabilitetin rajonal”, tha sot Pallati Élysée.
Ekziston frika e një sulmi ushtarak nga Irani dhe aleatët e tij kundër Izraelit.
Gjatë një bisede telefonike me Pezeshkian, Macron tha se Irani duhet t’u bëjë thirrje aktorëve destabilizues që mbështet – të tregojnë vetëpërmbajtje maksimale për të shmangur një konflikt të gjerë.
“Macron theksoi rëndësinë e shmangies së hakmarrjes dhe mbrojtjes së popullatës civile”, tha Pallati Élysée.
Për më tepër, Macron përsëriti qëndrimin e Francës në favor të një armëpushimi të menjëhershëm në Gazë dhe refuzimin e vendosur të çdo përshkallëzimi me Libanin. /atsh/