Në QKUK u krye një operacion i rrallë, zgjati mbi 13 orë
Shërbimi Spitalor Klinik Universitar i Kosovës (SHSKUK) ka njoftuar se mbi trembëdhjetë orë ka zgjatur një operacion që është kryer për herë të parë në Klinikën e Kirurgjisë Maksillofaciale në QKUK.
“Operacioni është kryer te një 28 vjeçar, nga ekipi i mjekëve nga Turqia, ata vendorë nga kjo klinikë dhe Klinika e Anesteziologjisë”, thuhet në njoftim.
Më tutje, ShSKUK ka bërë me dije se intervenimi mikrokirurgjik është bërë për rikonstruksionin e nofullës së poshtme, pas largimit të tumorit dhe largimit subtotal të nofullës e cila ishte e dëmtuar.
Sipas njoftimit, kjo procedurë kirurgjike – ‘Fibula free flap’ nënkupton marrjen e një pjese të lëkurës, muskujve dhe kockës nga këmba dhe transferimin e këtyre indeve në nofullën e poshtme, duke bërë anastomosis (ngjitje) të enëve të gjakut, me enët e gjakut në kokë dhe qafë.
“Intervenime të tilla nuk janë kryer më parë në QKUK dhe nuk kryhen as në disa vende të rajonit”, njofton SHSKUK.
Ky institucion theksoi se katër kirurgë maksillofacial janë duke ndjekur trajnimin e avancuar për mikrokirurgji dhe ‘free-flap’, në Achen dhe Bochum të Gjermanisë.
“Intervenime të tilla pritet të kryhen edhe në të ardhmen e afërt nga mjekët tanë”, thuhet në njoftim.
Sipas SHKUSK-së gjendja e përgjithshme e pacientit është e mirë dhe është duke u përmirësuar në vazhdimësi, derisa për kryerjen e këtij rasti është shfrytëzuar mikroskopi dhe salla operative e Klinikës së Kirurgjisë Plastike. /rtk