Trump: Debat me Harris në ”Fox News”
Republikani Donald Trump deklaroi se kishte rënë dakord me televizionin informativ “Fox News” për të debatuar më 4 shtator me zëvendëspresidenten dhe kandidaten për emërimin e Partisë Demokrate për zgjedhjet presidenciale në SHBA, Kamala Harris.
“Kam rënë dakord me ‘Fox News’ për të debatuar me Kamala Harris të mërkurën, më 4 shtator”, shkroi Trump në platformën e tij sociale “Truth”.
Nuk ishte menjëherë e qartë nëse Harris ishte dakord për debatin.
Ndërkohë, edhe zëvendëspresidentja e SHBA, Kamala Harris ka siguruar shumicën e nevojshme të votave të delegatëve për të qenë kandidatja presidenciale e Partisë Demokratike.
Ajo arriti pragun e nevojshëm të votave për nominimin në një votim në internet që ishte sjellë përpara për shkak të çështjeve që përfshinin printimin e fletëvotimeve në disa shtete.
Konventa e partisë do të nisë në Çikago më 19 gusht.
Njoftimi nuk ishte i papritur pasi asnjë kandidat tjetër nuk kishte garuar. /atsh/