SHBA paralajmëron armiqtë: Politika amerikane nuk është një shenjë dobësie
Diplomatët dhe zyrtarët ushtarakë amerikanë hodhën poshtë shqetësimet se ndryshimet e fundit të papritura në skenën politike amerikane janë një shenjë dobësie, duke paralajmëruar armiqtë e Amerikës të enjten kundër përpjekjeve për t’i shfrytëzuar zhvillimet politike në vend.
“Ata duhet të mendojnë përsëri”, tha për gazetarët zëdhënësi i Departamentit të Shtetit, Matthew Miller.
“Ne jemi të përqendruar në sfidat e sigurisë kombëtare me të cilat përballet vendi”, shtoi ai. “Kjo përfshin përgjigjen ndaj kundërshtarëve tanë kur është e përshtatshme.”
Në Pentagon, zyrtarët këmbëngulën se ushtria amerikane është e gatshme për çfarëdo sfide që mund të ketë nga kundërshtarët.
“Për sa i përket pyetjes nëse kundërshtarët tanë po na testojnë apo jo në këtë moment të caktuar, ata gjithmonë na testojnë”, tha Sekretari i Mbrojtjes, Lloyd Austin.
“Është thjesht diçka që i përfaqëson ata dhe që ata e bëjnë”, u tha ai gazetarëve. “Unë nuk mendoj se ky moment i veçantë është ndryshe.”
Paralajmërimet nga Uashingtoni vijnë më pak se një javë pasi presidenti Joe Biden njoftoi tërheqjen nga gara presidenciale, duke mbështetur nënpresidenten Kamala Harris si kandidate të demokratëve në garën kundër ish-presidentit dhe kandidatit të Partisë Republikane, Donald Trump.
“Asgjë nuk mund të pengojë shpëtimin e demokracisë sonë”, tha presidenti Biden në një fjalim drejtuar vendit të mërkurën.
Ushtria amerikane rriti shqetësimet e publikut pasi njoftoi pak para fjalimit të presidentit Biden se, për herë të parë, bombardues strategjikë rusë dhe kinezë fluturuan në një mision të përbashkët stërvitor, duke u afruar 350 kilometra nga shteti veriperëndimor amerikan i Alaskës.
Zyrtarë të tjerë kanë paralajmëruar gjithashtu për kërcënimin nga armiqtë e guximshëm të Shteteve të Bashkuara.
Drejtori i FBI-së, Christopher Wray, të mërkurën u tha ligjvënësve se Irani ende kërkon hakmarrje ndaj ish-presidentit Trump dhe disa prej këshilltarëve të tij për vrasjen në janar të vitit 2020 të ish-komandantit të Gardës Revolucionare Islamike, Qassem Soleimani.
Zyrtarë të tjerë amerikanë kanë shprehur shqetësime në lidhje me veprimet e forcave të mbështetura nga Irani, si sulmet e vazhdueshme nga anëtarët e grupit Huthi të Jemenit ndaj anijeve ndërkombëtare në Detin e Kuq dhe në Gjirin e Adenit, sulmet nga grupet e tjera të mbështetura nga Irani ndaj trupave amerikane në Irak dhe Siri.
“Ne po kufizojmë aftësinë e grupit Huthi”, tha Shefi i Shtatmadhorisë Amerikane, gjenerali C.Q. Brown, të enjten në një konferencë për shtypin në Pentagon.
“Por në të njëjtën kohë, për mposhtjen e tyre do të duhet më shumë se një operacion ushtarak”, tha ai. “Kjo përfshin një angazhim me komunitetin ndërkombëtar dhe agjencitë e tjera amerikane për të përdorur mjete të ndryshme për të ushtruar trysni mbi grupin Huthi në mënyrë që anëtarët e tij të ndërpresin këto sulme.”
Sekretari i Mbrojtjes, Lloyd Austin, tha se ushtria amerikane është gati t’i kundërvihet çdo përpjekjeje të armiqve për të dobësuar Amerikën.
“Unë mendoj se ne do të vazhdojmë të shohim këto kërcënime edhe në të ardhmen”, tha ai në konferencën për shtypin. “Por, ne kemi ushtrinë më të madhe në botë, ushtrinë më të aftë dhe ne do të vazhdojmë ta mbrojmë këtë vend.” /VOA/