Lëndohet Ansu Fati, prishen planet e Barcelonës për merkaton
Javë të nxehta në tregun e transferimeve për Barcelonën, mes nevojës për të shitur dhe dëshirës për të blerë, më synimin për të qenë në nivelin e Realit të Madridit.
Ai që mund të ndihmojë klubin “blaugrana” është Ansu Fati, për të cilin u hodh hipoteza e një transferimi në Arabinë Saudite, por që nuk u realizua.
Për të komplikuar planet për largimin e tij, përveç një sezoni të fundit në huazim te Brighton me shumë dritëhije, vjen edhe dëmtimi i fundit i lojtarit. Kjo është deklarata e publikuar në faqen zyrtare të Barçës:
“Gjatë stërvitjes së të martës, lojtari i ekipit të parë, Ansu Fati, ka pësuar një dëmtim në shputën e këmbës së djathtë. Ai do të vazhdojë trajtimin konservativ në Barcelonë dhe koha e riaftësimit do të përcaktohet kur të kthehet në stërvitje me evolucionin e tij”.
Ndaj mbetet të kuptohet se cila do të jetë koha e rikuperimit për këtë dëmtim. Ndërkohë, për Barçën do të jetë edhe më e komplikuar të vendosë në treg një lojtar që nuk është në gjendje perfekte fizike.
Shpresa e “blaugranave” është që ndonjë klub të kujtojë se sa premtues ishte lojtari i datëlindjes 2002 deri pak kohë më parë, për të humbur më pas mes problemeve fizike dhe paraqitjeve që nuk i përmbushën pritshmëritë.