Nis asfaltimi i rrugës “Habib Berisha” në Malishevë
Ka nisur asfaltimi i rrugës “Habib Berisha” në Malishevë, në kuadër të realizimit të projektit “Malisheva Urbane”.
Drejtori i Drejtorisë së Urbanizmit në Komunën e Malishevës, Avdi Morina theksoi rëndësinë strategjike të rrugës “Habib Berisha”, duke e cilësuar atë si një nga rrugët më të rëndësishme pas qendrës së qytetit.
“Kjo rrugë shërben si rrugë transite dhe që lidhet me të gjitha rrugicat e lagjes ‘Mirëdita’, përfshi stadiumin e qytetit, duke e bërë një nyje të rëndësishme për qytetin tonë”, u shpreh ai.
Tutje, sipas komunikatës për media nga Komuna e Malishevës, rruga ka një gjatësi prej rreth dy kilometrash dhe përfshin infrastrukturën përcjellëse si shtegun për biçikleta, kanalizimin e ujërave fekale dhe atmosferik, si dhe ndriçimin publik.
Ky projekt, që kap vlerën prej mbi një milion euro, financohet nga buxheti i Komunës së Malishevës, sjellë përmirësime të ndjeshme në infrastrukturën dhe cilësinë e jetës së banorëve të kësaj zone dhe më gjerë.