Gjykata Speciale e dënon me 18 vjet burgim Pjetër Shalën
Ish-pjesëtari i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Pjetër Shala, është shpallur fajtor nga Gjykata Speciale.
Ai është dënuar me 18 vjet burgim.
Trupi gjykues ka konstatuar se Shala – i njohur si “Ujku” – mes 17 majit 1999 dhe 5 qershorit të atij viti, kishte marrë pjesë në ndalimin arbitrar, torturë dhe në një rast në vrasjen e paligjshme të një të ndaluari në fabrikën e metalit në Kukës, në veri të Shqipërisë. Ndaj tij nuk është shqyrtuar vepra për trajtim mizor, pasi është thënë se ajo është përfshirë në veprën e torturës.
Në konstatim është thënë se viktimat e këtyre krimeve ishin persona për të cilët dyshohej se bashkëpunonin me Serbinë ose nuk përkrahnin UÇK-në, dhe të cilët nuk merrnin pjesë aktivisht në luftime.
Po ashtu aty është se të ndaluarit në fabrikën e metalit u keqtrajtuan rregullisht, qoftë fizikisht, ndër të tjera përmes rrahjes me mjete të ndryshme, ashtu edhe psikologjikisht, përmes kërcënimit me vdekje, poshtërimit, ngacmimit, marrjes në pyetje ose dhënies së deklaratave dhe pranimit të detyruar nën shtrëngim.
Trupi gjykues ka konstatuar Pjetër Shala kontribuoi në mënyrë të konsiderueshme në krimet e pretenduara, përmes pjesëmarrjes së drejtpërdrejtë dhe mosmarrjes së masave adekuate për të mundësuar trajtimin njerëzor të të ndaluarve në fabrikën e metalit në Kukës, dhe duke ndihmuar dhe inkurajuar kryerjen e krimeve për të cilat u ngritën akuzat.
Aktakuza fillestare ndaj Shalës u konfirmua më 12 qershor 2020. Ai u arrestua më 16 mars 2021 në Belgjikë. Gjykimi filloi më 21 shkurt 2023.