AGK-ja i kërkon presidentes Osmani qëndrim publik për Ligjin e KPM-së
Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës (AGK) i ka kërkuar presidentes së Kosovës, Vjosa Osmani – Sadriu, qëndrim publik për Ligjin e KPM-së.
“Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës (AGK) po ndjek me interesim reagimet pas miratimit javën e kaluar të Ligjit për KPM-në, nga shumica parlamentare në Kuvendin e Kosovës. Shqetësimeve të AGK-së, i janë bashkuar Zyra e Bashkimit Evropian në Kosovë, Misioni i OSBE-së në Kosovë, si dhe shumë prej përfaqësive të huaja diplomatike në Kosovë, duke vënë në pah që ligjin nuk është në pajtim me standardet e Këshillit të Evropës”, thuhet në komunikatën e AGK-së, raporton rtk.
AGK-ja, kërkon nga Presidentja e Republikës së Kosovës, zonja Vjosa Osmani – Sadriu, që të formojë qëndrim rreth këtij ligji dhe ta ndajë atë me publikun dhe të mos kufizohet vetëm tek roli i saj formal i dekretimit të ligjeve.
“Mediat e lira dhe pluralizmi medial janë gurëthemeli i një shoqërie demokratike dhe kur ky themel fillon të lëkundët seriozisht atëherë Presidentja e shtetit ka për obligim që të deklarohet publikisht. Nga Presidentja pritet që të deklarohet publikisht dhe të ndërveprojë me institucionet e tjera vendimmarrëse në mbrojtje të lirisë së medias dhe shtypit si bazament i një demokracie të shëndoshë të një shteti që aspiron integrimin në BE”, thuhet në komunikatën e AGK-së.