Biden: Unë do ta mbaj NATO-n të fortë
Presidenti i SHBA Joe Biden mbylli një samit treditor të NATO-s në Uashington duke u zotuar se do ta “mbajë NATO-n të fortë”, në një konferencë shtypi që u fokusua shumë në politikën amerikane dhe shqetësimet për shëndetin e tij mendor.
Udhëheqësi 81-vjeçar amerikan po përballet me thirrjet për të lejuar një kandidat tjetër nga Partia e tij Demokrate ta zëvendësojë atë në garën presidenciale të këtij viti, mes frikës se ai po vuan një rënie të shëndetit mendor.
Partia Republikane kundërshtare ka emëruar edhe një herë ish-presidentin Donald Trump, 78 vjeç.
“Paraardhësi im e bëri të qartë se ai nuk ka asnjë angazhim ndaj NATO-s. Ai e bëri të qartë se nuk do të ndihet i detyruar të respektojë nenin 5 të traktatit të NATO-s, i cili i detyron të gjithë aleatët të përgjigjen nëse dikush sulmohet”, theksoi Biden.
“Unë e kam bërë të qartë se një NATO e fortë është thelbësore për sigurinë amerikane. Dhe besoj se detyrimi i Nenit 5 është i shenjtë. Unë nuk do të përkulem para Putinit. Nuk do të largohem nga Ukraina. Do ta mbaj NATO-n të fortë”, theksoi ai.