Zemaj kritikon Qeverinë: S’ka pasur strategji për integrimin e veriut
Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Armend Zemaj, ka shprehur kritika ndaj veprimeve të Qeverisë Kurti në veri të vendit.
Sipas tij, disa veprime janë ndërmarrë për qëllime pompoziteti, dhe nuk kanë pasur një strategji të qartë për integrimin e plotë të veriut.
Zemaj deklaroi se Qeveria Kurti nuk ka treguar interes të vërtetë për integrimin e veriut të Kosovës, teksa theksoi se veprimet e qeverisë janë shpeshherë të drejtuara nga motive elektorale.
“Ne kemi pasur vërejtjet tona, edhe pse si strukturë politike kemi pasur një përkrahje nacionale sa i përket çështjes së Kosovës ose dialogut ose raportit me Serbinë. Dhe kjo nuk vihet në dyshim. Por mënyra se si është sjellë Qeveria, dhe gjërat që i ka zhvilluar me pompozitet dhe me reklamë për çështje të Facebook-ut dhe çështje elektorale, shpeshherë duke bërë edhe sfilata të panevojshme të ekzekutivit. Kjo është tregues që nuk ka pasur interes dhe një strategji që e integron veriun në plotni, pa e prekur kushtetutshmërinë dhe qasjen që e kemi ndaj mbrojtjes së territorit të RKS-së”, ka thënë Zemaj, në “FIVE” të RTV Dukagjinit.
Sipas Zemajt, Qeveria e Kosovës ka kaluar në heshtje kërkesat për dënimin e Serbisë për sulmin terrorist të 24 shtatorit, teksa ka theksuar se edhe këtë ngjarje Qeveria e ka për përfitime elektorale.
“Në zhvillimet e fundit pas sulmit terrorist në veri të Kosovës, nga grupe që ishin të mbështetura hapur nga Serbia, kjo kaloi në heshtje nga Qeveria e Kosovës. Nuk them në heshtje në atë që e përdor si mekanizma elektoral, por kaloi në heshtje për kërkesën për dënueshmërinë e Serbisë. E që po kërkohet në vazhdimësi vetëm tash kur po shihen pasoja e një ofensive diplomatike të institucioneve të Qeverisë, kanë qenë në mungesë që Serbia ta merr dënimin e merituar”, ka shtuar Zemaj.