Edhe kjo javë me temperatura të larta, IHMK thirrje për kujdes
Edhe java e dytë e korrikut do të ketë mot me diell e temperatura të larta.
Gjatë ditës së sotme në vendin tonë do të mbajë mot kryesisht me diell, teksa vranësira parashihen rreth maleve, ku vende-vende mund të ketë edhe ndonjë rigë të dobët shiu. Temperaturat minimale do të lëvizin ndërmjet 15-18 gradë Celsius, ndërsa maksimalet e ditës parashihen të lëvizin ndërmjet 27-33gradë Celsius. Do të fryjë erë kryesisht nga jugperëndimi me shpejtësi 1-3m/s. Instituti Hidrometeorologjik i Kosovës fton qytetarët që të kenë kujdes me kontaktin direkt me rrezet e diellit për shkak se indeksi UV do të jetë shumë i lartë, pasi gjatë javës parashihen 60 orë me diell. “Personat me sëmundje kronike të ju shmangen këtyre rrezeve, ose të bartin masa mbrojtëse, syze kapelë dhe rroba me ngjyrë të lehta. Një kujdes i veçantë edhe pjesëmarrësve në komunikacion, sepse ky mot me vapë shkakton shqetësime, dobëson reflekset e ngasjes, gjithashtu në raste të veçanta mund të humbin edhe kontrollin. Konsumimi i shpeshtë i ujit të freskët është i këshillueshëm”, bën thirrje IHMK.