Dembele prag ndeshjes me Barcelona-n: Kam përjetuar shumë atje, tani jam më i pjekur!
Mbrëmjen e kësaj të mërkure Paris Saint-Germain do të presë Barcelona-n në “Parc des Princes” për ndeshjen e parë çerekfinale të Champions League.
Një ndeshje speciale për Ousmane Dembele, i cili do të përballet me skuadrën për të cilën luajti nga viti 2017 deri në 2023.
Sulmuesi francez dha një intervistë për kanalet zyrtare të UEFA-s, ku shpreh se ka përjetuar shumë te Barcelona dhe e gjitha e ka bërë të piqet dhe të jetë më i përqendruar.
“Ndërmjet moshës 20 dhe 26 vjeç ndryshon shumë. Jeta ndryshon, gjithçka evoluon dhe ju gjithashtu duhet të piqeni. Ne bëhemi të rritur dhe përballemi me shumë më tepër përgjegjësi në jetën tonë, si nga pikëpamja personale ashtu edhe nga ajo profesionale. Unë kam përjetuar shumë, si në Barcelonë ashtu edhe në Paris që nga kjo verë. E gjithë kjo të mëson të piqesh, të bëhesh edhe më i qetë dhe të qëndrosh i përqendruar. Mendoj se jam ende i njëjti thellë-thellë, por me më shumë pjekuri sot, kjo është e sigurt”, deklaroi Dembele.