“Më mirë një 67-vjeçar se Martial”, legjenda e United: Rashford një “kalama” në sulm
Manchester United pësoi humbjen e parë të sezonit në javën e dytë të Premier League teksa u mposht në transfertë përballë Tottenham me shifrat 2-0.
“Djajtë e Kuq” ishin autorë të një performance të dobët dhe në këtë formë, të besuarit e trajnerit Eric ten Hag nuk mundën t’i shpëtonin kritikave.
Një nga ata që komentoi shumë negativisht lojën dhe disa prej individëve të United, ishte një ish-futbollist i skuadrës angleze. Fjala është Roy Keane i cili theksoi se “Djajtë e Kuq” nuk mund të presin nga Antony Martial që të zgjidhë ndeshjen kur aktivizohet nga stoli, ndërsa fjalëve të ashpra nuk i shpëtoi as Marcus Rashford.
“E përmenda që nuk ishin mirë edhe ndaj Wolverhampton, megjithatë fituam dhe unë prisja që skuadra të ishte përmirësuar. Por, jo. Ishin mirë në pjesën e parë ndaj Tottenham, por ndeshja zgjat 90 minuta. Duhet të tregosh më shumë shpirt luftarak dhe dëshirë për të marrë pikët. Pastaj, nuk pres që lojën ta zgjidhë një si Martial.
Më mirë të aktivizojmë Frank Stapleton (ish-futbollist i United, tashmë 67-vjeç). Martial nuk është nga ata që të nxjerr nga telashet. Rashford? Më duket si një “kalama” në sulm. Më duket se nuk i pëlqen të luaj në qendër”, u shpreh Roy Keane.