Në njoftimin e tij, Kukeli bëri të ditur se vepra artistike është përfunduar në tërësi dhe është e gatshme për publikun, por vendosja e saj në lokacionin e miratuar nga institucionet kompetente po bllokohet nga pengesa politike.

“Miq të dashur, mozaiku kushtuar Nënë Terezës është kryer në tërësi dhe është gati për përurim. Megjithatë, ashtu siç ju tashmë mund ta keni parë edhe në media dhe në portale, vendosja e mozaikut në lokacionin e caktuar nga institucionet kompetente, është duke hasur në VËSHTIRËSI TË MËDHA POLITIKE. Për vijueshmërinë e ngjarjes, ju këshilloj të ndiqni njoftimet nga përfaqësuesit e Komunës së Prishtinës, nën patronazhin e të cilëve është i organizuar ky event”, ka shkruar Don Dominik Kukeli.

Mozaiku me sipërfaqe prej 33 metrash katrorë, i realizuar me guaca të sjella nga Shën Gjini i Shqipërisë, ishte paraparë të përurohej nesër, të shtunën më 28 nëntor 2026, në orën 10:00, për nder të Festës së Pavarësisë së Shqipërisë dhe nën patronazhin e kryetarit të Komunës së Prishtinës, Përparim Rama.

Gjatë mbrëmjes së sotme, punimet për vendosjen e tij u ndaluan me ndërhyrjen e Policisë së Kosovës dhe sipas raportimeve niveli qendror kishte dhënë urdhër politik ndaj vendosjes së muralit në objektin përballë Ministrisë së Ekonomisë duke përmendur se aty shërben si këshilltar Alban Krasniqi, bashkëshorti i kryeparlamentares Albulena Haxhiu. çka nxiti reagime të ashpra nga zyrtarët komunalë dhe vetë kryetari Rama, i cili deklaroi se projekti i ka të gjitha lejet dhe kërkoi llogari publike nga Policia se kush ka dhënë urdhrin “nga lart” për bllokimin e punimeve.