Shiroka-Pula takohet me Begajn në Ohër: S’ka asgjë që i ndan dy shtetet që janë një zemër, një mendje dhe një komb

Shiroka-Pula takohet me Begajn në Ohër: S’ka asgjë që i ndan dy shtetet që janë një zemër, një mendje dhe një komb

Presidentja Justina Shiroka-Pula është takuar me presidentin e Shqipërisë, Bajram Begaj, në kuadër të samitit të Brdo–Brijuni, që sivjet po mbahet në Ohër.

Siç njofton Presidenca, Shiroka-Pula theksoi se Kosova dhe Shqipëria kanë lidhje “të veçanta, të rrënjosura në histori, gjuhë, kulturë dhe ndjenjën e përkatësisë së përbashkët”.

Ajo nënvizoi se “nuk ka asgjë që i ndan dy shtetet, të cilat janë një zemër, një mendje dhe një komb, të bashkuara nga e njëjta frymë në të dy anët e kufirit”.

Gjithashtu, presidentja shprehu mirënjohjen për mbështetjen e vazhdueshme të Shqipërisë ndaj Kosovës dhe theksoi se forcimi i marrëdhënieve ndërmjet dy vendeve është përgjegjësi e përbashkët, që duhet të udhëhiqet nga afërsia dhe vullneti për të ndërtuar së bashku të ardhmen.

“Në takim u diskutua edhe për orientimin strategjik të të dyja vendeve. Presidentja Shiroka Pula theksoi se anëtarësimi i Kosovës në NATO dhe integrimi në Bashkimin Evropian mbeten ndër prioritetet kryesore të vendit. Në këtë drejtim, ajo vlerësoi përvojën e Shqipërisë si anëtare e NATO-s dhe përparimin e saj në procesin e integrimit evropian, duke nënvizuar rëndësinë e bashkëpunimit dhe koordinimit më të ngushtë, si dhe të shkëmbimit të përvojave ndërmjet dy vendeve”, thuhet në njoftim.

Shiroka-Pula vlerësoi se marrëdhëniet e veçanta ndërmjet Kosovës dhe Shqipërisë duhet të vazhdojnë të përkthehen në bashkëpunim konkret në të gjitha fushat me interes të përbashkët.

/Ajo theksoi se Shqipëria është vendi me të cilin Kosova ka nënshkruar numrin më të madh të marrëveshjeve dhe memorandumeve të bashkëpunimit, një pjesë e konsiderueshme e të cilave tashmë, sipas saj, po zbatohen. /GE/

Share This