
Isak në formë të shkëlqyer te Liverpooli: “Shpresoj që të bëhet edhe më mirë”
Sulmuesi suedez Alexander Isak po kalon një periudhë shumë të mirë te Liverpooli, ndërsa synon të vazhdojë përmirësimin e paraqitjeve të tij dhe të bëhet njëri prej sulmuesve më efikasë në Evropë.
Fillimi i aventurës së tij në Anfield nuk ishte aspak i lehtë. Lëndimet dhe problemet fizike e penguan të gjente ritmin e duhur, ndërsa çmimi i lartë i transferimit prej 125 milionë funteve shtoi presionin mbi të.
Megjithatë, këtë sezon Isak ka arritur t’u përgjigjet kritikëve me paraqitje dhe gola të rëndësishëm.
Suedezi ka realizuar dhjetë gola në të gjitha garat në 16 paraqitje, ndërsa ka shënuar në gjashtë ndeshje radhazi si mysafir me fanellën e Liverpoolit. Në këtë seri përfshihet edhe dopieta e realizuar ndaj Club Brugge në Ligën e Kampionëve.
Pas ndeshjes, Isak u shpreh i kënaqur me formën e tij, por theksoi se synon të vazhdojë të përmirësohet.
“Është gjithmonë e vështirë të thuash saktësisht se në çfarë gjendjeje je dhe sa i mirë je, por mund të them se ndihem mirë. Jam në një moment të mirë, edhe skuadra është në një moment të mirë dhe kjo është gjëja më e rëndësishme. Shpresoj që gjithçka të bëhet edhe më mirë”, deklaroi Isak.
Edhe trajneri Andoni Iraola e vlerësoi lart formën e sulmuesit suedez, duke theksuar ndikimin e tij në lojën e skuadrës.
Ai veçoi gjithashtu përmirësimin e bashkëpunimit mes Isakut dhe Florian Wirtzit, duke nënvizuar se gjendja më e mirë fizike e suedezit po i krijon më shumë hapësira yllit gjerman.
“Kur Isak është më i përgatitur fizikisht, Wirtz duket si një lojtar edhe më i mirë, sepse tani po dërgon pasime në hapësira, të cilat Isak arrin t’i shfrytëzojë dhe të krijojë raste për gol”, u shpreh Iraola.
Wirtz po ashtu po kalon një periudhë të shkëlqyer. Ai ka regjistruar tri gola dhe dy asistime në tri ndeshjet e fundit me Liverpoolin, ndërsa ka realizuar edhe tri gola në dy paraqitje me kombëtaren gjermane.
Bashkëpunimi mes Isakut dhe Wirtzit po bëhet gjithnjë e më premtues, duke i dhënë Liverpoolit më shumë forcë dhe rrezikshmëri në repartin ofensiv. /Rekordi.net

