
Kurti takon Costan dhe von der Leyen, kërkon hapa konkretë për Kosovën
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka zhvilluar takime me presidentin e Këshillit Evropian, António Costa, dhe presidenten e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, në kuadër të samitit BE–Ballkani Perëndimor, i cili po mbahet në Bruksel.
Sipas njoftimit të Qeverisë së Kosovës, takimet janë zhvilluar në nisje të samitit, ku në fokus është perspektiva evropiane e vendeve të Ballkanit Perëndimor.
Gjatë deklarimit për media, Kurti ka kërkuar që Bashkimi Evropian t’i japë Kosovës statusin e vendit kandidat për anëtarësim, duke vlerësuar se ky proces nuk duhet të shtyhet më tej.
Ai ka theksuar se Kosova nuk po kërkon trajtim të veçantë, por njohjen e progresit të arritur në fusha të ndryshme.
“Nuk po kërkojmë shpërblim, privilegj apo favor, po kërkojmë vetëm që të njihet dhe pranohet përparimi i Kosovës sa i përket avancimit demokratik, rritjes ekonomike, luftës kundër korrupsionit, sundimit të ligjit, të drejtave politike dhe lirive civile”, ka deklaruar Kurti, transmeton Rekordi.net.
Kreu i Qeverisë së Kosovës ka ngritur gjithashtu çështjen e përgjegjësisë për sulmin terrorist në Banjskë, duke kërkuar nga Serbia arrestimin dhe dorëzimin e Milan Radoiçiqit, të cilin autoritetet e Kosovës e konsiderojnë përgjegjës për organizimin e sulmit.
Samiti BE–Ballkani Perëndimor në Bruksel përbën një mundësi për diskutimin e marrëdhënieve ndërmjet Bashkimit Evropian dhe vendeve të rajonit, me theks të veçantë në procesin e integrimit evropian. /Rekordi.net

