
Guardiola refuzoi Italinë, zbulon se dëshiron të drejtojë një kombëtare
Pep Guardiola ka konfirmuar se ka refuzuar mundësinë për të marrë drejtimin e Kombëtares së Italisë, duke zbuluar se në të ardhmen dëshiron të drejtojë një përfaqësuese, por vetëm pasi të pushojë nga futbolli.
Ish-trajneri i Manchester Cityt ka bërë të ditur se ka zhvilluar bisedime me Federatën Italiane të Futbollit, por oferta erdhi në një moment kur ai kishte nevojë të largohej përkohësisht nga futbolli dhe të pushonte nga angazhimet e trajnerit.
“Kam biseduar me ta dhe ishte një nder. Ishte një nga nderimet më të mëdha që kam marrë, fakti që ata menduan për mua për ta drejtuar Italinë”, deklaroi Guardiola në një intervistë me ish-bashkëlojtarin e tij te Barcelona, Romario.
“Por kjo ndodhi në një moment kur kisha nevojë të ndalesha. Nëse do të kishte ndodhur një ose dy vjet më herët, me gjasë do ta kisha pranuar. Por, kur Paolo Maldini dhe Leonardo, të cilët i dua shumë, më kontaktuan, ishte një moment kur thjesht duhej të ndalesha”, shtoi ai.
Guardiola u largua nga Manchester City në fund të sezonit të kaluar, pas një dekade të jashtëzakonshme në krye të klubit anglez, gjatë së cilës fitoi gjashtë tituj të Premier League, përfshirë katër radhazi, tri Kupa FA, pesë Kupa të Ligës dhe Ligën e Kampionëve.
Spanjolli ka pranuar se kërkesat dhe presioni i vazhdueshëm i gati dy dekadave në futbollin e klubeve e bënë të domosdoshëm një pushim.
“Nuk e di se sa gjatë do të qëndroj larg. Për momentin ndihem shumë mirë. Por, nëse një ditë rikthehem në futboll, do të jetë kur ta ndiej se është momenti i duhur”, përfundoi Guardiola. /Rekordi.net

