
Artistë nga Kosova dhe Shqipëria bashkohen në Javën Kulturore në Tropojë
Qyteti i Bajram Currit ka shënuar Javën Kulturore Kombëtare me aktivitete muzikore dhe artistike në kuadër të “Next Generation 2.0”, ku morën pjesë artistë dhe krijues nga Shqipëria dhe Kosova.
Ministri i Turizmit, Kulturës dhe Sportit i Shqipërisë, Blendi Gonxhja, ka bërë të ditur se gjatë fundjavës, në skenë janë ngjitur Rovena Dilo, Alis Kallaci, Shpat Deda dhe artistja e re Troja Bicurri.
“Nga hapat e K’cimit të Tropojës te këngët live, këtë fundjavë Bajram Curri lëvizi në ritmin e Next Generation 2.0”, ka shkruar Gonxhja, raporton rtk.
Sipas tij, artistët e Cirkut Kombëtar i kanë shtuar programit një tjetër ritëm, ndërsa të rinjtë në publik kanë kënduar dhe vallëzuar së bashku me artistët.
Në kuadër të Art Market, të organizuar në Muzeun e Tropojës, artistë dhe krijues nga Shqipëria dhe Kosova kanë prezantuar piktura, punime druri, veshje dhe qeramikë.
Vizitorët kanë pasur mundësi të takojnë edhe artistë të tatuazhit dhe të provojnë realitetin virtual (VR).
“Kështu e festoi Tropoja Javën Kulturore Kombëtare, me këngë që kaluan nga skena te publiku, me valle që i bënë të gjithë bashkë dhe me krijues nga të dy anët e kufirit”, ka theksuar Gonxhja.

