
Mbrojtja e Thaçit nuk pajtohet me mënyrën se si Haga e llogariti paraburgimin për ish-presidentin: Do ta apelojmë
Mbrojtja e ish-presidentit Hashim Thaçi ka paralajmëruar se do ta apelojë vendimin e Gjykatës Speciale lidhur me mënyrën e llogaritjes së dënimit prej 17 muajsh burgim, të shqiptuar ndaj tij në rastin për pengim të administrimit të drejtësisë.
Në një shkresë të dorëzuar më 23 nëntor në Dhomat e Specializuara të Kosovës, avokatja e Hashim Thaçit, Sophie Menegon, ka bërë të ditur se rezervojnë të drejtën për ta kundërshtuar para Dhomës së Apelit vendimin e gjykatësit lidhur me vuajtjen e njëkohshme të dënimeve në rastet 06 dhe 12, si dhe llogaritjen e kohës së kaluar në paraburgim.
Në vendimin e datës 17 nëntor 2026, Gjykata e Hagës e ka shpallur Thaçin fajtor për disa vepra penale kundër administrimit të drejtësisë dhe e ka dënuar me 17 muaj burgim.
Në vendimin e tij, gjykatësi kishte deklaruar se nuk konsideronte që koha e kaluar në paraburgim nga Thaçi, në bazë të dy fletarrestimeve të ndara, mund të llogaritej për dy dënime të shqiptuara për vepra që nuk kanë ndërlidhje me njëra-tjetrën.
“Po t’i ishte njohur z. Thaçi koha e kaluar në paraburgim që nga njoftimi për fletarrestimin në Rastin 12, dënimi i tij në këtë rast do të konsiderohej i vuajtur dhe ai do të ishte liruar”, thuhet në argumentimin e avokates Menegon, raporton Express.
Avokatja e Thaçit për rastin e dytë, ka theksuar se, për momentin, nuk kanë ndërmend të paraqesin parashtrime të veçanta lidhur me vazhdimin e paraburgimit të Thaçit, por kanë rezervuar të drejtën për ta apeluar Aktgjykimin, përfshirë vendimin për mosllogaritjen e njëkohshme të dënimeve dhe çështjen e kreditimit të kohës së kaluar në paraburgim.

