
Dështon marrëveshja për klimën në COP31. BE dhe Britania kundërshtojnë draftin: Mungon referenca mbi lëndët djegëse fosile
Bisedimet për klimën në samitin e OKB-së COP31 në Antalia të Turqisë kanë përfunduar pa një marrëveshje përfundimtare, pasi Bashkimi Evropian, Mbretëria e Bashkuar dhe disa vende në zhvillim kanë kundërshtuar tekstin kryesor të propozuar. (Foto: Abdullah Guclu/Anadolu/)
Shkak për kundërshtimin është bërë mungesa e çdo reference ndaj lëndëve djegëse fosile në dokumentin përfundimtar, pavarësisht kërkesave të më shumë se 130 vendeve për një angazhim të qartë për largimin prej tyre.
Ministri irlandez i Mjedisit, Darragh O’Brien, duke folur në emër të BE-së, deklaroi se propozimi nuk i përgjigjet urgjencës së krizës klimatike dhe nuk mbështetet në të dhënat shkencore.
Pakti i propozuar i Antalias parashikonte elektrifikimin e ekonomive, financim nga vendet e pasura për të ndihmuar shtetet më të varfra të përballen me pasojat e ndryshimeve klimatike, si dhe masa për kufizimin e ngrohjes globale në 1.5 gradë Celsius.
Megjithatë, dokumenti nuk përfshinte një plan për largimin nga karburantet fosile, ndërsa parashikonte edhe përdorimin e teknologjive për kapjen dhe ruajtjen e karbonit, një çështje që ka shkaktuar kundërshtime nga organizatat mjedisore.
Pavarësisht mungesës së konsensusit për marrëveshjen kryesore, gjatë samitit u miratuan vendime për disa çështje të tjera. Rreth 200 vende morën pjesë në negociatat dyjavore në Antalia, të cilat u shtynë përtej afatit të planifikuar, por nuk arritën të prodhonin një marrëveshje të përbashkët për një nga çështjet kryesore të debatit klimatik: të ardhmen e lëndëve djegëse fosile. /rtsh/

