Sulmohet baza kryesore e të dhënave kriminale në SHBA, FBI nis hetimet, Trump: Sapo dëgjuam për këtë, nuk është mire

Sulmohet baza kryesore e të dhënave kriminale në SHBA, FBI nis hetimet, Trump: Sapo dëgjuam për këtë, nuk është mire

Byroja Federale e Hetimeve (FBI) ka nisur hetimet lidhur me një sulm të dyshuar kibernetik ndaj një prej bazave më të rëndësishme kombëtare të të dhënave të zbatimit të ligjit në Shtetet e Bashkuara. Lajmi u bë i ditur të shtunën nga një burim i njohur me çështjen, i cili foli në kushte anonimiteti për agjencinë Associated Press, pas raportimit fillestar nga rrjeti televiziv CNN.

Objektivi i këtij sulmi të mundshëm është Qendra Kombëtare e Informacionit për Krimin (NCIC), një bazë e kompjuterizuar të dhënash e mirëmbajtur nga FBI-ja, e cila u shërben agjencive lokale, shtetërore dhe federale të sigurisë. Ky sistem përfshin informacione kritike mbi personat e arratisur, personat e zhdukur, të dhënat e historikut kriminal, pronat e vjedhura dhe çështje të tjera të drejtësisë penale.

Deri më tani, FBI-ja ka refuzuar të komentojë zyrtarisht mbi incidentin, ndërsa shkalla e plotë e problemit dhe ndikimi i tij mbeten ende të paqarta. I pyetur mbi këtë zhvillim gjatë një interviste për Fox News Channel të shtunën, Presidenti Donald Trump reagoi shkurt duke e cilësuar situatën shqetësuese: “Sapo dëgjuam për këtë dhe do të them se nuk është mirë”.

Raportimi për vënien në shënjestër të sistemit NCIC vjen në një periudhë kur Shtetet e Bashkuara janë përballur me një sërë ndërprerjesh digjitale si në sektorin qeveritar ashtu edhe në atë privat. Megjithatë, zyrtarët e administratës Trump kanë sqaruar më herët se këto ndërprerje janë shkaktuar nga proceset rutinë për përmirësimin e sistemeve kompjuterike dhe rregullimin e dobësive teknike, duke mos treguar asnjë lidhje të menjëhershme me incidentin e fundit në FBI.

Byroja Federale e Hetimeve ka qenë historikisht një objektiv i shpeshtë i grupeve të hakerave. Vetëm në muajin shtator, FBI-ja konfirmoi se po hetonte një sulm kibernetik ndaj portalit të saj të punësimit, pasi grupi kriminal i hakerave “ShinyHunters” pretendoi se kishte vjedhur një sasi të konsiderueshme të dhënash mbi punonjësit dhe aplikantët. Po ashtu, në muajin mars, agjencia zbuloi se po hetonte “aktivitete të dyshimta” në një sistem të brendshëm që ruante informacione të ndjeshme mbi operacionet dhe hetimet e mbikëqyrjes. /rtsh/

Share This