
“I kemi lënë çlirimtarët vetëm?”, Lladrovci ngre pikëpyetje për mbrojtjen në Hagë, kritikon PDK-në dhe institucionet
Kryetari i Drenasit, Ramiz Lladrovci, ka ngritur pikëpyetje për mënyrën se si po organizohet mbrojtja e ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës në Hagë, duke kritikuar PDK-në dhe institucionet për mungesën e një angazhimi më të gjerë shtetëror.
Lladrovci, përmes një postimi në Facebook, ka shtruar pyetjen nëse janë shfrytëzuar të gjithë mekanizmat për mbrojtjen e ish-krerëve të UÇK-së, apo nëse ata janë lënë vetëm.
“U bënë gjashtë vjet dhe ende nuk e kemi qartësinë e duhur se cila është e vërteta për mbrojtjen e liderëve tanë, Hashimit, Kadriut, Jakupit, Rexhës dhe të tjerëve. A kemi bërë sa duhet, a ka qenë mbrojtja efikase, a janë shfrytëzuar të gjithë mekanizmat, apo, i kemi lënë çlirimtarët vetëm”, ka shkruar Lladrovci.
Ai ka theksuar se mbrojtja e ish-krerëve të UÇK-së duhet të jetë përgjegjësi e shtetit dhe e gjithë kombit, e jo vetëm e një partie.
“Çështja e mbrojtjes së heronjve tanë të luftës dhe paqes, është detyrë e shtetit dhe të një kombi, përtej një partie”, ka deklaruar ai.
Kryetari i Drenasit ka kritikuar edhe mënyrën se si PDK-ja e ka trajtuar këtë çështje, duke vlerësuar se nevojitet një front më i gjerë për mbrojtjen e ish-krerëve të UÇK-së.
“PDK nuk ka sukses nëse e vetme i mbron ata. Fronti për mbrojtjen e heronjve tanë, do të duhej të ishte i gjerë dhe me nivelin e seriozitetin e luftës çlirimtare në rrethana tjera”, ka shkruar Lladrovci.

