
Haxhiu: Serbia duhet të mbajë përgjegjësi për krimet e kryera
Kryetarja e Kuvendit të Kosovës, Albulena Haxhiu, ka bërë të ditur se analizat e reja të ADN-së nga zhvarrosjet në Kalludër dhe Jabukë kanë konfirmuar identitetin e tre personave të zhdukur gjatë luftës në Kosovë.
“Analizat e reja të ADN-së nga zhvarrosjet në Kalludër dhe Jabukë, të pranuara nga Komisioni Qeveritar për Persona të Zhdukur, konfirmuan se në mesin e mbetjeve mortore të gjetura në këto lokacione janë edhe ato të Adem Ademit, Fatmir Fazliut dhe Ali Halitit, pjesëtarëve të “Grupit të Intelektualëve”. Për më shumë se 27 vjet, familjet e tyre kërkuan të dinin se ku ishin trupat e më të dashurve të tyre. Forcat serbe i kishin vrarë dhe varrosur fshehurazi, me qëllim që të zhduknin gjurmët e krimit. Shpreh ngushëllimet e mia më të sinqerta për familjet Ademi, Fazliu dhe Haliti. Bashkëndjej me to, por edhe me familjet e tjera të këtij grupi dhe me të gjitha familjet në Kosovë që ende presin të mësojnë se ku ndodhen më të dashurit e tyre, të zhdukur me dhunë gjatë luftës së fundit. Serbia duhet të mbajë përgjegjësi për krimet e kryera dhe të bëjë publike të gjitha të dhënat që posedon për vendndodhjen e personave të zhdukur, përfshirë lokacionet e varrezave të tjera masive”, ka shkruar ajo në “Facebook”, raporton rtk.

