Rusia godet Kievin me raketa, vetëm pak orë pasi pranoi rinisjen e bisedimeve për paqe

Rusia godet Kievin me raketa, vetëm pak orë pasi pranoi rinisjen e bisedimeve për paqe

Rusia ka bombarduar kryeqytetin ukrainas, Kiev, me raketa balistike dhe dronë, vetëm pak orë pasi Moska ra dakord në parim për rifillimin e bisedimeve trepalëshe me Ukrainën dhe Shtetet e Bashkuara, në kuadër të përpjekjeve për t’i dhënë fund luftës.

Sulmi gjatë natës së të enjtes, më 22 tetor, shkaktoi viktima dhe të plagosur, ndërsa dëme u raportuan në ndërtesa banimi, infrastrukturë transporti dhe objekte të tjera civile. Sipas autoriteteve ukrainase, një person humbi jetën dhe 22 të tjerë u plagosën në Kiev. (Foto: Një grua shikon apartamentin e saj të dëmtuar të enjten, pas një sulmi me raketa ruse në Kiev, Ukrainë. Efrem Lukatsky/AP).

Goditjet prekën disa zona të kryeqytetit. Në distriktin Dniprovskyi, në bregun lindor të lumit Dnipro, shpërthyen zjarre dhe gjashtë persona mbetën të plagosur, mes tyre edhe një fëmijë.

Sulmi vjen në një moment kur po shtohen përpjekjet diplomatike për të rikthyer Moskën dhe Kievin në tryezën e negociatave. Të mërkurën, këshilltari i politikës së jashtme të presidentit rus, Vladimir Putin, Yuri Ushakov, deklaroi se Moska ishte dakord “në parim” për rifillimin e bisedimeve trepalëshe me Ukrainën dhe SHBA-në pas datës 10 nëntor.

Vendimi u bë i ditur pas takimit në Shën Petersburg mes Putinit dhe të dërguarit të posaçëm të presidentit amerikan, Donald Trump, Steve Witkoff. Negociatat e reja pritet të përqendrohen te çështjet e sigurisë së Rusisë dhe Ukrainës pas përfundimit të konfliktit.

Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, ka shprehur mbështetje për rifillimin e bisedimeve, por ka paralajmëruar se Rusia ka deklaruar edhe më parë gatishmërinë për negociata, përpara se qëndrimi i saj të ndryshonte.

“Do të shohim çfarë do të ndodhë këtë herë”, u shpreh Zelensky, pak para se në Kiev të binin sirenat e alarmit për sulme ajrore.

Ndërkohë, sulmet e vazhdueshme ndaj infrastrukturës energjetike ukrainase kanë shtuar shqetësimet për furnizimin me energji përpara dimrit. Analistët vlerësojnë se Moska po synon të dëmtojë kapacitetet energjetike të Ukrainës në prag të muajve të ftohtë, ndërsa përpjekjet diplomatike për t’i dhënë fund luftës mbeten të brishta. /rtsh/

Share This