“43 vite fantastike”, gazetarja Christiane Amanpour e lajmëron largimin nga CNN

“43 vite fantastike”, gazetarja Christiane Amanpour e lajmëron largimin nga CNN

Christiane Amanpour, kryesuesja e këtij rrjeti për lajmet ndërkombëtare, ka njoftuar të hënën se do të përfundojë punën në CNN në qershorin e ardhshëm.

“Pas shumë muajsh reflektimi dhe disa netësh pa gjumë, kam vendosur të ndahem nga CNN-i, partneri im për 43 vite fantastike!”, tha Amanpour në një deklaratë.

Amanpour, 68 vjeçe, tha se “pret me padurim projekte të reja interesante në të ardhmen dhe se gjithmonë do ta mbështesë CNN-in, duke ruajtur traditën e tij të gazetarisë së pavarur. Mbani mend: gjithmonë jini të vërtetë, jo neutralë”.

Amanpour, një emër i njohur në mbarë botën për guximin e saj si korrespondente e huaj, që nga viti 2009 ka drejtuar në CNN International një emision të përnatshëm intervistash që mban emrin e saj.

Në janar të vitit 2025, ajo e reduktoi angazhimin e saj në emision, duke e drejtuar atë vetëm disa ditë në javë. Në janar të vitit 2027, emisioni do të transmetohet një herë në javë, deri në përfundimin e tij në maj. Ajo do të vazhdojë të raportojë dhe të udhëtojë nëpër botë për CNN–in deri në qershor.

Kryetari i CNN-it, Mark Thompson, ua bëri të ditur vendimin e Amanpour kolegëve të tij përmes një memorandumi të hënën në mëngjes.

“Christiane e ka shqyrtuar me kujdes këtë vendim dhe unë kam diskutuar me të për këtë çështje prej disa muajsh”, shkroi Thompson. “Ashtu si shumë punonjës të CNN-it që do ta marrin këtë lajm sot, më vjen shumë keq që ajo po largohet, por kam arritur ta pranoj se kjo është koha e duhur për të, si në aspektin personal, ashtu edhe në atë profesional”.

Thompson e cilësoi atë si “njërën prej gazetareve më të besuara dhe më të dashura kudo në botë” dhe tha se rrjeti do të gjejë kohë për ta nderuar para largimit të saj vitin e ardhshëm.

“Ndërkohë, në emër të të gjithë ekipit drejtues të CNN-it, dua ta falënderoj Christianen për 43 vite të jashtëzakonshme me gazetari të spikatur, besnikëri dhe miqësi”, shkroi ai.

Në deklaratën e saj, Amanpour tha se dëshironte t’i falënderonte “të gjithë njerëzit jashtëzakonisht të talentuar me të cilët kam punuar gjatë këtij rrugëtimi të jashtëzakonshëm. Veçanërisht ekipet e emisionit tim të dashur dhe ekipet e terrenit”.

“Nga detyra ime e parë e madhe dhe emocionuese, raportimi për Luftën e Parë të Gjirit, te tmerret e luftës në Bosnjë, Ruandë, Afganistan, Ukrainë dhe Iran, si dhe të gjitha ngjarjet e tjera ndërmjet tyre, ajo që kishte më shumë rëndësi ishin ekipet dhe fryma e bashkëpunimit”, tha ajo. “Së bashku, luftuam për të kërkuar faktet, provat dhe njerëzoren, në mënyrë që CNN-i të mund ta transmetonte gjithmonë të vërtetën për botën dhe për mbarë botën, pa frikë dhe pa favorizuar askënd”.

Emisioni i Amanpour në PBS, “Amanpour & Company”, do të përfundojë në dhjetor.

Në deklaratën e saj, Amanpour tha se do të vazhdojë podcastin e saj, “The Ex Files”, të cilin e realizon së bashku me ish-bashkëshortin Jamie Rubin dhe që prodhohet nga Global.

Share This