
Përshkallëzohet situata përballë Kryeministrisë, protesuesit përplasje me policinë dhe i vënë flakën autoboteve si dhe një makine
Pas qëndrimit për katër orë përpara Ministrisë së Arsimit, protestuesit marshuan drejt godinës së Kryeministrisë, në ditën e pestë të tubimeve ku kërkohet ndryshimi i klasës politike si dhe krijimi i kushteve për moslargimin e të rinjve nga vendi.
Protestuesit ndodhen në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, ndërkohë që sërish ka tensione mes tyre dhe Policisë.
Mjetet e policisë hodhën ujë me presion dhe gaz lotsjellës pasi protestuesit arritën pranë perimetrit të sigurisë. Të rinj me maska vijuan hedhjen e gurëve në drejtim të policisë.
Gjithsesi, qytetarë dhe të rinjtë të cilët prinin turmën vijuan marshimin drejt sheshit përpara Kryeministrisë, ku ishin vendosur edhe forca të shumta të rendit.
Në pika të ndryshme të bulevardit u krijuan zjarre nga lëndët piroteknike.
Policia nisi shoqërimin e protestuesve pasi i zmbrapsi ata nga bulevardi.
Protestuesit hodhën molotovë drejt Policisë, të cilët ranë tek dy autobotet e ujit të policisë, duke marrë edhe flakë. Ata i vunë flakën edhe një automjeti të vogël, që u soll prej tyre në bulevard.
Përpara Kryeministrisë mbërriti edhe një autoambulancë, e cila mori një qytetar që ishte lënduar.
Momentalisht situata ka përshkallëzuar me protestuesve dhe forcave të Policisë, duke shkaktuar momente tensioni. Protestuesit po vijojnë të hedhin gurë dhe fishekzjarre, ndërsa Policia po kundërpërgjigjet me ujë dhe gaz lotsjellës.
Protestuesit kanë sulmuar me gurë e molotovë edhe Autoritetin e Sigurisë Kibernetike. Në muret rrethuese të godinës, ku ndodhen bimët, ka flakë.
Protesta e të rinjve vijon edhe sot për të pestën ditë radhazi. Ata po protestojnë kundër klasës politike në vend. Rreth mesditës nisën aktet e para të dhunës ndërsa protestues të maskuar kanë shkulur kangjellat pranë Ministrisë së Arsimit dhe i vendosën në mes të rrugës. /atsh/

