Përshkallëzohet protesta në Tiranë, hidhen gurë e gaz lotsjellës

Përshkallëzohet protesta në Tiranë, hidhen gurë e gaz lotsjellës

Situata është tensionuar gjatë protestës së të rinjve që po mbahet për të pestën ditë radhazi para Ministrisë së Arsimit në Tiranë, ku protestuesit po kundërshtojnë klasën politike në vend.

Mediat në Shqipëri raportojnë se protestuesit kanë hedhur gurë dhe mjete piroteknike në drejtim të policisë, ndërsa kanë shkulur kangjellat metalike pranë ministrisë dhe i kanë vendosur në mes të rrugës, duke krijuar barriera përballë efektivëve.

Sipas raportimeve, protestuesit kanë djegur edhe kosha të mbeturinave pranë godinës së ministrisë. Një efektiv policie raportohet se është lënduar, ndërsa në vendngjarje ka mbërritur ambulanca për t’i ofruar ndihmën e nevojshme mjekësore.

Ndërkohë, policia ka përdorur gaz lotsjellës për shpërndarjen e protestuesve, të cilët janë zhvendosur përkohësisht në rrugicat përreth për t’iu shmangur efekteve të gazit.

Pavarësisht tensioneve, të rinjtë kanë vazhduar thirrjet kundër klasës politike, duke brohoritur: “Rama n’burg, Berisha n’burg”.

Protesta e sotme vjen pas katër ditësh të tjera protestash në kryeqytetin shqiptar, gjatë të cilave janë shënuar akte dhune dhe përplasje mes protestuesve dhe forcave të policisë, raporton rtk.

Share This